Botë
Përmbytjet në Sierra Leone, mbi 300 numri i të vdekurve, vazhdojnë kërkimet
15.08.2017 11:22
Është rritur në 312 numri I të vdekurve si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm në Sierra Leone. Më shumë se 100 shtëpi janë shembur ose mbuluar nga dheu...

Ekipet e emergjencës janë në gatishmëri, por fatkeqësisht në disa zona është e pamundur ndërhyrja për shkak të masivit të baltës, e cila ka bllokuar rrugët.
Mes viktimave 60 janë fëmije. Ata janë mbytur për shkak të masivit të baltës që është shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshme, te cilët vazhdojnë prej disa ditësh. Përmbytjet nuk janë të pazakonta në Sierra Leone, ku shtëpitë , që shpeshherë nuk përmbushin kushtet e duhura të sigurisë, rrëmbehen nga shirat e rrëmbyeshëm.
“Arsyeja e përmbytjeve janë kanalizimet. Ato janë të ngushta dhe njerëzit hedhin plehra kështuqë mbushen në cdo rënie shiu dhe uji del në rrugë. Ne s’bëjmë gjë tjetër vecse qajmë pas cdo përmbytjeje, por njerëzit nuk kthehen më dhe askush nuk ndërmer asgjë për të zgjidhur problemin”, tha Mariama Julie Koroma, banore në Freetown.
“Shumë herë ka ndodhur e njejta gjë dhe njerëzit vazhdojnë të ndërtojnë shtëpi mbi kanalizime dhe në kodra, ku ka rrëshqitje dheu . Trupat që kanë ardhur në spital kanë qenë të dëmtuar pasi mbo to kanë rënë gurë dhe dhe. Numri i të vdekurve është shumë i lartë”, tha Dr. Carew, drejtori i spitalit Connaught.
Shërbimet e emergjencave ndodhen ende në vendngjarje, në përpjekje për të shpëtuar njerëzit e bllokuar në shtëpitë e tyre. Rrëshqitjet e dheut kanë lënë qindra persona të pastrehë, ndërkohë që zyrtarët po kërkojnë ndihmë humanitare për të përballuar fatkeqësitë natyrore të kohëve të fundit.
“Jam shumë i pikëlluar nga tragjedia që përfshiu vendin tonë dhe ju jap ngushëllimet e mia familjeve. Kjo është një tragjedi për të gjithë qytetarët tanë jo vetëm pë rata që kanë humbur të afërmit. Të gjithë jemi me ta në këto moment të rënda”, tha Ernest Bai Koroma, President i Sierra Leones.
Freetown është një qytet bregdetar i mbipopulluar, me më shumë se një milion banorë. Në vitin 2015, Freetown përjetoi përmbytje vdekjeprurëse të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm, që u morën jetën 10 personave dhe lanë mijëra të pastrehë.
REJHANE BUSHI METAJ
