Maqedoni

Vrasja në Strugë, SPB-Ohër: Autori i panjohur, ende në arrati

15.08.2017 13:47

Sektori për punë të brendëshme në Ohër dhe Stacioni i policisë në Strugë kanë ndërmarrë masa intensive për gjetjen e autorit të vrasjes së Dilaver Bijkut...

Sektori për punë të brendëshme në Ohër dhe Stacioni i policisë në Strugë kanë ndërmarrë masa intensive për gjetjen e autorit të vrasjes së Dilaver Bijkut, që ndodhi dje pasdite në restorantin “Akua Blu” në Strugë. Autori akoma është në arrati dhe i pakapshëm për policinë. Nga sektori për Punë të Brendshme të Ohrit, konfirmojnë se ngjarja ka ndodhur në terrasën e restorantit Akua Blu që është në pronësi të Lekut.
 
“Në afërsi të tij është afruar,  tani për tani një person i panjohur i cili në drejtim të kokës ka shtënë me pistoletë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Më pas personi në fjalë , me vrap ka braktisur vendin e ngjarjes duke ikur në drejtim të rrugës “Partizanska”. Me qëllim të kapjes së autorit drejt tij janë nisur dy persona, por të njëjtit kanë hequr dorë nga qëllimi pasi kryerësi i vrasjes edhe drejt tyre ka gjuajtur dy plumba”, njoftojnë nga Sektori për Punë të Brendshme, Ohër, pa dhënë më shumë hollësi reth hetimit.
 
Dilaver Bojku u qëllua dje, dhe iu nënshtrua plagëve të marra edhe pse, sic njoftojnë mjekët, në spitalin e Strugës kanë tentuar që ta kthejnë në jetë. Në vendngjarje është kryer ekspertizë nga Prokurori Publik i Prokurorisë Themelore të Strugës nën prezencën edhe të ekipeve policore. Me urdhër të prokurorit publik, mbi trupin e të ndjerit do të kryhet obduksion.
 
SEMRA AJETI