Botë

Tërheqja e Koresë së Veriut dritare e hapur për negociata

16.08.2017 12:28

Deklarata e fundit e Kim Jong-un, që sinjalizoi një pushim në luftën e fjalëve mes Penianit dhe Uashingtonit...

Deklarata e fundit e Kim Jong-un, që sinjalizoi një pushim në luftën e fjalëve mes Penianit dhe Uashingtonit, i ka dhënë Shteteve të Bashkuara një dritare prej disa ditësh për të negociuar shmangien e përballjes së rrezikshme, vlerësojnë ekspertët, të cilët gjithsesi druhen se Amerika mund të keqinterpretojë mesazhin e Kim, i cili tha se do të presë dhe të shohë sesi do të sillet Uashingtoni në rajon, para se të lëshojë raketat drejt ujërave në afërsi të territorit amerikan të Guamit.

Një pjesë e medieve amerikane thonë se, deklarata nga Koreja e Veriut ishte një tërheqje nga plani për Guamin, pas raprezaljeve që premtoi Donald Trump dhe Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis. Por sipas analistëve, ky do të ishte një lexim i gabuar i mesazhit dhe, në një kohë tensioni kaq të lartë, kjo s’mund të jetë asgjë e mirë.

Sipas ekspertëve, Koreja e Veriut ka hapur qartësisht mundësinë për negociata, pavarësisht se cili mund të jetë fundi i tyre. Në kohën kur qytetarët e të dy vendeve ndjekin me vëmendje deklaratat e politikanëve, bota pyet se çfarë në të vërtetë do të ndodhte nëse këto dy vende do të futeshin në luftë.

Kim Jong-un, është zotuar se do të sulmojë ishullin Guam që gjendet vetëm dy mijë milje larg Koresë së Veriut në Oqeanin Paqësor, me katër raketa të tipit Huasong-12. Në Guam ekziston baza ajrore e ushtrisë amerikane, rojeve bregdetare dhe afro 6 mijë ushtarëve, kështu që sulmi me raketa në këtë vend do të kishte pasoja katastrofike.  

Nëse Koreja e Veriut vërtetë i lason raketat, atëherë ushtria amerikane do të detyrohet të fus në përdorim sistemin mbrojtës kundërajror i njohur si THAAD që është i vendosur në Korenë e Jugut, e që funksion duke lokalizuar dhe shkatërruar raketat balistike në fazën finale të fluturimit, qoftë brenda apo jashtë atmosferës së Tokës.

Ajo nuk funksionon me koka bërthamore, por përdor dhe mbështetet në “energjinë kinetike” e cila shkatërron efektin e raketave. Gjithsei nisja e sulmeve, nga kushdo palë, do të kishte efekte katastrofale jo vetëm për qytetarët e të dy vendeve.