Maqedoni
Shkarkimi i Zvrlevskit, antikorrupsioni: Jo-ligjor në këtë periudhë
16.08.2017 15:20
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, në seancën e së martës mbrëma ku kanë marrë pjesë të gjithë anëtarët....

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, në seancën e së martës mbrëma ku kanë marrë pjesë të gjithë anëtarët, është deklaruar lidhur me kërkesën e deputetëve të VMRO-DPMNE-së për mendim, nëse shkarkimi i prokurorit publik Marko Zvërlevski është apo jo në kundërshtim me nenin 8 nga Kodi Zgjedhor, i cili pas shpalljes së zgjedhjeve ndalon punësimin ose shkarkimin e personave në institucionet shtetërore. Komisioni njëzëri ka vendosur se shkarkimi i funksionarit në këtë periudhë është kundër ligjit.
“Vendimi është në kontekst të vendimeve paraprake. Ashtu sikur edhe në zgjedhjet tjera, ne vendosëm se nuk duhet të ketë emërime as shkarkime pas shpalljes së zgjedhjeve. Ai ishte mendim i katër ose pesë cikleve të kaluara zgjedhore, në këtë vlerësim mbetemi edhe tani”, thonë nga Komisioni Antikorrupsion.
Mendimi i Komisionit është dorëzuar në Kuvend. Neni 8 i KOdit Zgjedhor, u shtua një vit më parë, pas marrëveshjes së arritur mes liderëve në Përzhinë. Por në të nuk përmenden shkarkimet apo emërimet e funksionarëve që zgjidhen drejtpërdrejt nga Kuvendi.
Kryeparlamentari Xhaferi tashmë disa herë e ka bërë të qartë se mendimi i Komisionit nuk është relevant për debatin në Kuvend. Sipas tij, Kuvendi punon sipas Kushtetutës dhe rregullores, e jo sipas mendimeve të organeve të tjera. Antikorrupsion është pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe ai nuk mund t’i japë rekomandime pushtetit ligjvënës. Nëse keni mëdyshje, mund të kërkoni interpretim autentik të ligjit”, theksoi Xhaferi gjatë seancave.
SEMRA AJETI
