Maqedoni
Zaev letër Xhaferit: Gati për pyetje deputetësh çdo javë, presim termin
16.08.2017 15:58
Kryeministri Zoran Zaev ka kërkuar edhe zyrtarisht nga kryeparlamentari Xhaferi, që të caktojë termin për pyetje tematike të deputetëve një herë në javë...

"Në kontekst të zbatimit të tërësishëm të Planit 3-6-9, do të doja ta shpreh gatishmërinë e padyshimtë të Qeverisë për mbajtjen e pyetjeve javore-tematike të deputetëve në kohëzgjatje prej një ore, në kohë dhe format të cilin Ju do ta vlerësoni se është më adekuati dhe në pajtim me procedurat e Juaja të brendshme", thuhet në letrën e kryeministrit.
Qeveria gjithashtu përshëndet hapat e Kuvendit për plotësimin e dispozitave nga Plani 3-6-9, si riakitivizimin e Klubit të deputeteve dhe Komisionit të përhershëm anketues dhe fillimin e punës të dy komisioneve për mbikëqyrje të shërbimeve. Qeveria po ashtu obligohet dhe pranon elaborim të obligueshëm para trupave të Kuvendit të propozim ligjeve në nivel ekspertësh.
Kryeministri informon se në periudhën e ardhshme, Qeveria do t'i përgatis aktivitetet e ardhshme nga plani 3-6-9. Zaev përkujton se në pjesën e Planit që ka të bëjë me Kuvendin, Qeveria do të përkrahë një sërë masash, me qëllim të kthimit të ambientit demokratik në këtë institucion kyç, përmes dialogut politik dhe bashkëpunimit me të gjitha partitë parlamentare, duke përfshirë edhe opozitën si dhe do të angazhohet për përfshirje më të madhe të shoqërisë qytetare në diskutimet e trupave të Kuvendit.
KALTRINA MAKSUTI
