Maqedoni
Pavlevski 4 orë në pyetje nga PSP
17.08.2017 10:21
Dje, biznesmeni Ljupço Pavlevski është marrë në pyetje informative, katër orë nga PSP së bashku me avokatin e tij...

Pas përfundimit të procedurës, nuk deshi të japë asnjë koment se përse ka qenë I ftuar në stacionin policor në Kisella Vodë. Shkurt deklaroi se bëhet fjalë për procedurë parahetimore, dhe si e tillë, nuk guxon të shpalosë asgjë.
Jozyrtarisht, bëhet fjalë për përfshirjen e tij në lidhje me publikimin e bisedave të përgjuara në “YouTube” në kanalin “Nikola Tesla”.Nga PSP thonë se ai është marrë në pyetje në kuadër të hetimeve paraprake dhe për këtë arsye nuk mund të zbulojë më shumë detaje. Nuk ka informacion as nga Gjykata Penale.
Bisedat private telefonike që gjenden ende në këtë rrjet social, janë të ish-deputetes Ermira Mehmeti, kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi, Hari Kostovit, biznesmenit Jordan Kamçev, redaktorëve të TV Sitel, Dragan Pavlloviq dhe Ivona Talevska, gazetares Olivera Trajkovska. Mehmeti, Llatas dhe Talevska kanë ngritur kallëzim penal deri te PSP.
