Maqedoni

Indeksi për zhvillim njerëzor: Maqedonia ulje për tetë vende, e fundit në rajon

17.08.2017 14:56

Maqedonia është pozicionuar në vendin e 83-të, sipas Indeksit të zhvillimit njerëzor....

Maqedonia është  pozicionuar në vendin e 83-të, sipas Indeksit të zhvillimit njerëzor, duke u renditur kështu e fundit në rajon. Para nesh janë Serbia në vendin e 66-të, Shqipëria në vendin e 75-të, dhe Bosnja e Hercegovina në vendin e 81-të.
 
Të dhënat e Indeksit të Zhvillimit Njerëzor të bëra publike nga OKB, tregojnë se vendi ynë shënon rënie për tetë vende gjatë periudhës 2010-2016. Derisa në vitin 2010 Maqedonia renditej në vendin e 71-të, tash kemi shënuar ulje në vendin e 83-të.  
 
Lista është e ndarë në katër grupe nga rreth 45 shtete të vlerësuara sipas shkallës së zhvillimit njerëzor. Maqedonia me vendin e 82-të,  edhe pse është në grupin e dytë të vendeve me një zhvillim të lartë njerëzor për vitin 2016, pas grupit të shteteve me zhvillim “shumë të lartë njerëzor”, ajo megjithatë ngec në raport me të gjitha shtetet e rajonit.
 
Një zhvillim shumë më të madh në këtë tregues, kanë Mali i zi në vendin e  48-të, Kroacia në vendin e 45-të, ndërsa më mirë e renditur është Sllovenia në vendin e 25-të, duke kaluar edhe  Italinë që renditet në vendin e 26-të në botë.Për faktin se nuk është e njohur nga të gjitha anëtaret e OKB-së, në këtë renditje nuk figuron Kosova me të dhënat e saj respektive.
 
Listën e kryeson Norvegjia me  të ardhura për kokë banori prej 67.614 dollarë. Për krahasim, Maqedonia ka prodhim të brendshëm bruto prej 12.405 dollarë për kokë banori.
 
KALTRINA MAKSUTI