Maqedoni

Kuvendi shkarkoi kryeprokurorin Zvërleski; VMRO: Shumica shkel ligjet; LSDM: S’ka më procese penale me porosi

17.08.2017 18:47

Me 64 vota pro dhe asnjë kundër, Kuvendi shkarkoi kryeprokurorin publik Marko Zvërleski...

Deputetët e VMRO DPMNE-së, para votimit lëshuan sallën, me arsyetimin se kryetari i Kuvendit dhe shumica parlamentare po vepron në kundërshtim me ligjet pozitive në vend, duke shkarkuar kryeprokurorin në periudhë kur janë shpallë zgjedhjet lokale, dhe duke mos e përfill vendimin e Komisionit për parandalimin e korrupcionit.
 
“Prandaj, ju njoftoj se nuk do të jemi present më tej, rreth pikës gjashtë. Ju lirisht, ashtu siç ju sqaroi z. Xhaferi, të mbrojtur nga imuniteti vazhdoni të shkelni ligjet në RM”, shprehet deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.
 
Mirëpo pretendimet e deputetëve të VMRO-së, i hodhi poshtë kryepralamentari, Talat Xhaferi.
 
Sipas tij, vendimi për shkarkimin e funksionarëve të zgjedhur në Kuvend, përfshi edhe kryeprokurorin, kanë mbështeje në Kushtetutë. 
 
Për shumicën parlamentare, me shkarkimin e Zvërlevskit fillon sundimi i shtetit ligjor.
 
“S’ka më gjykatës “svarovski”, s’ka më procese penale me porosi. S’ka më kërcënime, s’ka më mbjellje frike. Në Maqedoni fillon të sundojë drejtësia. Në Maqedoni fillon procesi i kthimit të ligjit dhe drejtësisë, por edhe i përgjegjsisë për cdo vepër penale, për cdo padrejtësi dhe për cdo mashtrim”, shprehet deputeti i LSDM-së, Petar Shilegov. 
 
Pas shkarkimit të kryeprokurorit publik, Marko Zvërlevski, Këshilli i Prokurorëve do të caktojë ushtruesin e detyrës kryeprokuror publik, i cili do të ushtrojë këtë detyrë deri në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, që sipas të gjitha gjasave do të ndodh pas zgjedhjeve lokale, të tetorit.     
 
SHPËTIM NUREDINI