Botë
Sulm në Barcelonë, policia e trajton si terrorist
17.08.2017 20:33
Një furgon është përplasur në mesin e këmbësorëve në Las Ramblas në qendër të Barcelonës...

Policia ka konfirmuar se ka persona të vdekur, derisa sulmin është duke e trajtuar si terrorist.
“Një furgon është përplasur në Las Ramblas në Barcelonë”, ka thënë policia përmes një deklarate.
Mediumi shtetëror spanjoll ka thënë se një person ka vdekur dhe 20 të tjerë janë lënduar.
Shërbimet e emergjencës kanë bërë thirrje që njerëzit të qëndrojnë larg zonës, "Placa Catalunya", dhe kanë kërkuar mbylljen e stacioneve të trenave dhe të metrosë, në pjesën ku ka ndodhur incidenti.
Gazeta El Pais, ka thënë se drejtuesi i furgonit është larguar në këmbë, pasi ka lënduar një numër të njerëzve.
Policia është duke e kërkuar autorin e këtij sulmi.
Ndërkohë gazeta spanjolle El Periodico ka raportuar se dy persona të armatosur janë fshehur brenda një lokali në qendër të Barcelonës, si dhe janë raportuar të shtëna.
Ende nuk është bërë e ditur nëse incidentet janë të lidhura.
Detajet e plota të incidentit ende nuk janë bërë të ditura, mirëpo që nga korriku i vitit 2016, furgonat dhe mjete të tilla përdoren për sulme në qendra të ndryshme të Evropës, duke përfshirë, Nicën, Berlinin, Londrën dhe Stokholmin.
Deri më tash nga këto sulme me furgona kanë vdekur më shumë se 100 persona./evropaelire
