Një shtetas nga Maqedonia mes të lënduarve në sulmin në Barcelonë
Autoritetet spanjolle mbrëmë lajmëruan se në atentatin në qendër të Barcelonës....

Autoritetet spanjolle mbrëmë lajmëruan se në atentatin në qendër të Barcelonës, ku 13 persona humbën jetën dhe 100 u lënduan, janë shtetas të 24 vendeve. Mes tyre ka një shtetas nga Maqedona, që ka pësuar lëndime në kyc, shtetas të Francës, Gjermanisë, Spanjës, Holandës, Argjentinës, Venezuelës, Belgjikës, Australisë, Tajvanit, Hong Kongut, Hungarisë, Perusë, Irlandës Verore, Greqisë, Kubës, Kinës, Italisë, Rumanisë dhe Algjerisë. “Ambasada e Maqedonisë në Spanjë bën përpjekje që të marrë informacione të rregullta dhe të sakta për ngjarjen dhe qytetarët e Maqedonisë në Spanjë”, thonë nga MPJ.
Dy persona janë arrestuar për pjesëmarrje në sulmin në Barcelonë – një marokien dhe një shtetas spanjoll nga enklava spanjolle Melilla, në Afrikën Veriore.
Policia intensivisht bën kërkime për gjetjen e personit të tretë, shoferi i supozuar i furgonit, që mbrëmë në rrugën e frekuentuar turistike “La Rambla” në Barcelonë ka shtypur dhe lënduar mbi 100 persona nga të cilët 13 e humbën jetën.
Policia publikoi gjatë orëve të natës foton e një personi të quajtur Driss Oukabir Soprano, që mendohet se ka marrë me qira furgonin e përdorur për ta përplasur mbi këmbësorët, por pak orë më vonë, Dris Soprano u shfaq në polici për të denoncuar vjedhjen e dokumenteve të tij.
Policia për asnjërin prej tyre deri më tani nuk ka hapur dosje për lidhje me terrorizëm.
Shteti Islamik pranoi se qëndron pas sulmit nëpërmjet një deklarate të publikuar në agjencinë e lajmeve Amaq, por nuk dha prova apo detaje të mëtejshme që të mbështeste këtë pretendim.
