Spanjë, parandalohet sulmi i dytë, vriten 5 terroristë

18.08.2017 12:28

Policia spanjolle arriti të ndalojë një sulm të dytë me makinë...

Policia spanjolle arriti të ndalojë një sulm të dytë me makinë, pas episodit tragjik të Barcelonës. Efektivët e saj ekzekutuan 5 sulmuesit në qytetin Cambrils, të cilët sipas autoriteteve vendase të sigurisë mbanin në trup breza me eksplozivë.

 “Ne lamë punën në mesnatë , sic bëjmë përherë në gusht, shkuam në shëtitoren pranë detit të marrim një akullore kur dëgjuam të shtënat. Filluam të vrapojmë , pamë një të vdekur të shtrirë, me gjumrë plumbi në kokë, pas 20 metrash pamë edhe dy të tjerë me jelekë me eksploziv në trup. U fshehëm sepse na kapi frika” – tha Markel Artabe, banor i zonës.

“Shumë njerëz filluan të dalin nga lokali por policia na urdhëroi të rrinim brenda. Kishte 15 turistë francezë në piceri në atë moment , që rinë tek një hotel këtu pranë. Erdhën edhe njerëz të tjerë që po dilnin nga puna, një vajzë u lëndua teksa vraponte, 35 njerëz prisnim brenda të mbaronte tmerri” – u shpreh Aritza Artabe, pronar i një lokali pranë zonës.

Zyrtarët mendojnë se ka një lidhje mes këtyre dy ngjarjeve dhe shpërthimit në një shtëpi të Alcanarit mbrëmjen e së mërkurës, ku mbeti i vrarë një person.  Banorët e saj, nga sa pohoi shefi i policisë spanjolle, Josep Lluis Trapero, kanë qenë sipas gjasave duke përgatitur një “bombë artizanale”.

Në Cambrils, 7 vetë u plagosën, përfshirë një oficer policie, kur një automjet u lëshua drejt një grupi njerëzish në shëtitoren e plazhit të këtij qyteti. Makina u përmbys më pas e agresorët u gjendën përballë plumbave të policisë, që arriti kështu të shmangë më të keqen. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)