Spanjë, 14 numri i viktimave, mes të lënduarve, një qytetar nga Maqedonia, vazhdojnë kërkimet për shoferin e furgonit
35 vjecari, Bruno Gulotta, u përplas nga furgoni i vdekjes....

35 vjecari, Bruno Gulotta, u përplas nga furgoni i vdekjes në Barcelonë përpara syve të dy fëmijëve të tij.
Ai ishte në Barcelonë për pushime me familjen që e panë të gjithë skenën e tmerrit. Edhe holandezja Elke V., 44 vjeç, kishte ardhur në Barcelonë me të shoqin dhe dy fëmijët, 11 dhe 14 vjeç kur gjeti vdekjen.
Tre prej 14 të vdekurve në “Las Ramblas” ishin shtetas gjermanë, por gama e personave të vrarë apo të lënduar në këtë atentat, shtrihet në 16 shtete, të gjithë turistë nga Franca, Holanda, Belgjika, Italia, Irlanda, Greqia, Hungaria, Rumania, Maqedonia, Algjeria, Argjentina, Venezuela, Peruja, Kuba, Australia e Kina.
26 qytetarë francezë janë lënduar , 11 prej tyre, në gjendje më të rëndë. Nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë thonë se shtetasi që ka qenë pranë vendgjarjes, ka pësuar thyerje të kyçit të këmbës, por nuk është në rrezik për jetën dhe është trajtuar nga ana e shërbimeve spanjolle mjekësore.
Ai tashmë është vizituar nga punonjësit e ambasadës.
Policia spanjolle ndërkohë, thotë se drama e Las Ramblas zor se mund të parandalohej. Kërkimet për shoferin e mikrobusit , që u larguar në këmbë nga vendngjarja, po vazhdojnë. Policia arrestoi një 18 vjecar me dokumente në emrin Driss Oukabir, si të dyshuarin kryesor i cili kishte marrë furgonin me qira dhe ishte i pranishëm gjatë sulmit.
Por, Driss Oukabir, i vërteti, 28-vjeç është dorëzuar në stacionin e policisë, duke deklaruar se vëllai i tij, 18 vjeç, i kishte vjedhur dokumentet.Sulmuesi i vërtetë quhet Moussa Oukabir dhe jeton në Barcelonë.
3 të dyshuar janë prapa hekurave. Dy prej tyre, u kapën në një resoratn ku u fshehën pas sulmit, njëri është maroken. Përgjegjësinë e ngjarjes në Las Ramblas e mori Shteti Islamik, përmes një deklarate të shkurtër, të përcjellë nga agjencia e lajmeve “Amaq”, ku sqaronte se sulmi ishte ndërmarrë nga ushtarët e vet, pa dhënë prova të mëtejshme apo detaje në mbështetje të këtij pretendimi.
Barcelona është qyteti i fundit europian i përballur me trendin në rritje të goditjes së njerëzve me makina e kamionë.
Sulmet e kësaj natyre mbi të ashtuquajturat “shënjestra të buta” nisën vitin e kaluar në Nicë të Francës, vazhduan me atë në tregun e Krishtlindjes në Berlin dhe më pas goditjet në “Uestminster” dhe urën e Londrës. (Farije Dauti, Bakiu, TVM2)
