Mardhëniet Kosovë – Serbi, Thaçi: Duhet të jemi të gatshëm për kompromise

18.08.2017 13:40

Presidenti I Kosovës, Hashim Thaçi , në një shkrim të botuar.......

Presidenti I  Kosovës, Hashim Thaçi , në  një shkrim të botuar në "Frankfurter Allgemeine Zeitung" që mban titullin "Treni i fundit për paqen e qëndrueshme", thotë se pas gjashtë vitesh negociatash mes Kosovës dhe Serbisë ka pasur vërtet progres, sidomos arritja e marrëveshjes së vitit 2013 për bazat e normalizimit të marrëdhënies, por "nuk është arritur një normalizim i plotë i marrëdhënieve".

Në artikull, kreu i shtetit të Kosovës kujton se nëse do të qëndrojmë tek kjo shpejtësi, marrëdhëniet tona nuk do të jenë normale edhe pas 100 vjetësh. 

Problemin kryesor, Thaçi e gjen tek fakti që palët ende e shohin njëra-tjetrën si kundërshtare. Si mundësinë e vetme për kapërcimin e mosmarrëveshjeve, ai konsideron një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë, që përfshin njohjen e dyanshme.

“Arritja e këtij qëllimi është për të dyja vendet tejet i vështirë dhe kërkon lidership të guximshëm dhe inteligjent. Por, jam i bindur se lidershipi si në Kosovë edhe në Serbi synon që t'u ofrojë qytetarëve të vet atë që presin, pra të gjejnë paqen me njëri-tjetrin. Që kjo të ndodhë duhet të jemi kreativë dhe të gatshëm për të arritur kompromise të tjera”, shkruan Thaçi.

Në mbyllje të artikullit, Presidenti i Kosovës përmend edhe metaforën e trenit si simbol për të ardhmen.

"Ne duhet të tregojmë kujdes që të mos e humbasim trenin e fundit për paqen e qëndrueshme" thotë ai. Shkrimi I Thacit vjen pas një shkrimi të homologut të tij serb  Presidenti serb Aleksandar Vuçiç në mes të korrikut, që  kërkonte një ndryshim të mendësisë për Kosovën në Serbi. (Gyltene Sinani, TVM2)