Sulmi në Barcelonë, policia në kërkim të marokenit Younes Abouyaaqoub
Drejtuesi i automjetit që shkaktoi 14 viktima e mbi 100 të plagosur...

Drejtuesi i automjetit që shkaktoi 14 viktima e mbi 100 të plagosur në bulevardin e famshëm të Barcelonës, Las Ramblas, mund të jetë ende i gjallë dhe në arrati.
Policia spanjolle bëri të ditur se është vënë në kërkim të marokenit Younes Abouyaaqoub, i cili, sipas mediave spanjolle, është shoferi i furgonit.
22-vjeçari jetonte në qytetin e vogël të Ripoll në veri të Barcelonës, ku policia ka arrestuar 3 vetë.
Një person i katërt u ndalua në Alkanar. Autoritetet spanjolle kanë ekzekutuar të dyshuarin kryesor për sulmin. Moussa Oukabir 18 vjeç me origjinë marokene, i cili i kishte vjedhur dokumentet e identifikimit vëllait të tij, konfirmohet të jetë në mesin e 5 terroristëve të vrarë nga policia më vonë gjatë tentativës për një sulm tjetër terrorist në Kambrils, në perëndim të Barcelonës.
Numri i të arrestuarve që dyshohet se ka lidhje me ngjarjen tragjike ka shkuar në 5. Por autoritetet janë ende në kërkim të marokenit Junus Abuyakub, i cili mendohet se ishte drejtuesi i furgonit në las Ramblas.
Sipas autoriteteve, të dyshuarit kishin planifikuar të zhvillonin sulme më të sofistikuara, por një shpërthim aksidental që ndodhi të mërkurën në qytezën Alkanar i privoi agresorët nga eksplozivët e i detyroi ata t’i drejtoheshin metodave më të thjeshta.
Të gjithë viktimat e sulmit në Las Ramblas ishin turistë, mes të cilëve dy italianë, një amerikan, një kanadez, një spanjoll dhe një portugez. Viktima më e vogël ishte vetëm 3 vjeç. 7-vjeçari Julian Cadman, me kombësi britaniko-australiane, i cili u nda nga e ëma gjatë sulmit, është zhdukur.
60 persona janë ende të shtruar në spital, 15 prej të cilëve në gjendje kritike.
I ashtuquajturi Shteti Islamik mori përsipër autorësinë e sulmit në Las Ramblas edhe pse nuk është e qartë nëse ndonjë nga agresorët ishin të lidhur direkt me grupin apo ishin frymëzuar prej tij.
