Kumanovë, edhe përkundër vapës së madhe nuk ka munguar uji

19.08.2017 16:40

Edhe përkundër vapës së madhe dhe temperaturave të larta...

Edhe përkundër vapës së madhe dhe temperaturave të larta tropikale të kësaj vere, në qytetin e Kumanovës, si kurrë më parë, nuk u ndie mungesa e ujit të pijshëm. Kompetentët nga NP “ Ujësjellësi “ në Kumanovë thonë se sivjet nuk ka patur as restriksione të ujit të pijshëm.

“E dijmë se çështja e ujit ka qenë problematike, mirpo sivjet fatmirësisht edhe pse ishin temperaturat shumë të larta nuk kemi patur ndonjë problem më të madh me furnizimin me ujë. Temperaturat e larta gjatë korrikut dhe gushtit kanë shkaktuar shpenzim marramendës të ujit . Normal gjatë stinës së verës harxhimi i ujit arrin prej 250-270 litra në sekondë, por përshkak temperaturave tropikale shpenzimi ka arritur në rreth 400 litra në sekondë “ - thotë Faruk Alili .

Edhe përkundër këtij fakti, Faruk Alili u apelon qytetarëve që të mos e keqpërdorin ujin e pijshëm, por ta shfrytëzojnë në mënyrë racionale.

“Edhe pse kaloi nxehti i madh dhe nuk do të kemi problem me furnizimin me ujë, unë do tu kisha apeluar qytetarëve që të kenë kujdes me ujin, të mos e keqpërdorin për larje , ujitje e të ngjashme, por primare ta kenë vetëm për pirje dhe shërbime higjienike“ - nënvizoi Faruk Alili.

Në këtë ndërmarrje , kohëve të fundit ka filluar edhe pagesa e rregullt e qytetarëve për ujin e konsumuar, andaj edhe rezultatet financiare kanë filluar të shënojnë ngritje.

“Kemi ndërmarrur disa hapa me të cilat është përmirësuar dukshëm pagesa e ujit nga ana e qytetarëve. Mirë e dimë se ndërmarrja jonë varet nga pagesa e qytetarëve . Përmirësimi është dukshëm në krahasim me vitet paraprake. Këtu ka ndihmuar edhe ligji i ri përmes përmbaruesve e noterëve dhe qytetarët janë vetëdijsuar për pagesën e shërbimeve“ - potencoi Faruk Alili zv. Drejtor i NP “ Ujësjellësi “

Të përkujtojmë se gjatë 10 viteve të kaluara qytetarët e Kumanovës janë përballur me vështirësi të mëdha rreth furnizimit me ujë të pijshëm edhe atë përshkak të inateve mes ndërmarrjeve simotra “ Ujësjellësi” dhe Ekonomia e ujrave edhe atë si rezultat i mospajtimeve politike të drejtuesve të këtyre dy ndërmarrjeve. (Nexhat Aqifi, TVM2)