Boçvarski:Do rriten pensionet dhe paga minimale

19.08.2017 17:13

Rritja e pagës minimale dhe e pensioneve do të ndodh së shpejti...

Rritja e pagës minimale dhe e pensioneve do të ndodh së shpejti. Paratë janë siguruar me ribalancin e buxhetit ndërsa pengesat në bllokimet në kuvend nga ana e opozitës po mënjanohen, thotë nënkryetari i LSDM-së, Bllagoj Boçvarski.

“Qeveria dhe shumica parlamentare, punojnë me gjithë kapacitetin për të realizuar rritjen e pagës minimale dhe pensioneve. Pengesat dhe bllokimet në Kuvend po mënjanohen dhe sëshpejti të gjithë punëtorët do të kenë pagë minimale të garantuar me ligj prej 12 mijë denarë” – tha Bllagoj Boçvarski nga LSDM.

Këtë vit, pensionerët do të fitojnë mbi 2000 denarë shtesë, për dallim nga 600 denarëve të vitit të kaluar që ndau qeveria e VMRO DPMNE-së.” 

Mirëpo, VMRO DPMNE pretendon të kundërtën. Sipas partisë së Gruevskit, qeveria e kaluar ka treguar më shumë kujdes për pensionerët.

“Në vend të 5% -shit të planifikuar dhe parashikuar, LSD do t’u jep pensionerëve vetëm 160 denarë më shumë. Ky është dallimi mes VMRO DPMNE-së dhe LSD-së. Kur qeveriste VMRO DPMNE pensionerët merrnin rritje prej 650 denarë, ndërsa LSD u shkurton rreth 500 denarë.” – u shpreh Nermin Tellovska nga VMRO DPMNE.

Mirëpo LSDM hedh poshtë pretendimet e VMRO DPMNE-së. Sipas tyre, rritja e fundit është bërë për interesa elektorale.

“Gjatë vitit të kaluar, pensionet janë rritë për 630 denarë, në kohën e VMRO DPMNE-së dhe atë jashtë ligjit, vetëm për zgjedhjet, në muajin nëntor.”  - u shpreh Bllagoj Boçvarski nga LSDM.

Sipas Boçvarskit, harmonizimi i pensioneve me shpenzimet për jetë do të ndodh dy herë në vit, ndërsa nga rritja do të përfitojnë mbi 2000 denarë, në vit. Sa i takon rritjes së rogës minimale, është arritur pajtim edhe me punëdhënësit edhe me sindikatat. (Shpëtim Nuredini, TVM2)