Maqedoni
Shpenzimi i buxhetit, VMRO: Për dy muaj, mungojnë 177 milionë euro; LSDM:VMRO shqetësohet që paratë s’janë te Gruevski
20.08.2017 15:04
Shpenzimi i parave te buxhetit dhe ato publike kanë qenë përplasja e rradhës mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së...

Sipas partisë opozitare, të Nikolla Gruevskit, paratë e qytetarëve humbasin që kur LSDM ka ardhë në pushtet. “Për dy muaj, mungojnë 177 milionë euro nga rezervat devizore”, akuzon VMRO DPMNE.
“Përveç borxheve dhe gënjeshtrave, qytetarët e Maqedonisë nuk panë as “R” nga reformat. Përfundimisht paratë nuk përfundojnë në hapje të vendeve të reja të punës, për realizimin e projekteve ose për ndërtimin e rrugëve dhe spitaleve. Është koha që magjistarët e LSDM-së të përgjigjen se në cilin xhep përfundojnë paratë nga marrja e borxheve?” - thuhet në kumtesën e VMRO DPMNE-së.
“Për dallim nga pushteti i kaluar, paratë e qytetarëve nuk harxhohen për pasurimin kriminal të Nikolla Gruevskit dhe VMRO DPMNE-së, por shfrytëzohen për qëllime produktive dhe jetë cilësore për të gjithë qytetarët.” – u kundërpërgjigj LSDM.
Sipas partisë së Zaevit, në këto 11 vjet, qytetarët dëshmuan se si paratë e tyre përfundonin në oborin e shtrenjtë të VMRO DPMNE-së, partisë më të pasur në Evropë.
“Partia opozitare nuk mund të pajtohet me faktin se paratë e qytetarëve në vend që të përfundojnë në xhepin e Gruevskit dhe VMRO DPMNE-së, ato tani shfrytëzohen për pagë minimale më të lartë, ndihmë më të madhe për ekonominë, pensione më të larta dhe për zgjidhjen e përhershme të problemit me punëtorët e firmave të falimentuara.”- thuhet në kumtesën e LSDM-së.
SHPËTIM NUREDINI
