FUTBOLL

7 kamera pas porte, s’ka më gola fantazmë në Botëror

10.06.2014 20:00

Brenda apo jo? Për herë të parë këtë Botëror, teknologjia jep fjalën se nuk do të ketë më gola fantazmë……...

Brenda apo jo? Për herë të parë këtë Botëror, teknologjia jep fjalën se nuk do të ketë më gola fantazmë.

Kompania gjermane “Goal Control” do t’u vijë në ndihmë 25 arbitrave të turneut në Brazil. Sistemi “GoalControl- 4D” u testua me sukses në Kupën e Konfederatave 2013.

“Arbitrat do të mësojnë në më pak se një sekondë nëse topi e ka kaluar vijën fatale apo jo”, – shpjegoi drejtori i kompanisë, Dirk Broihauzen.

Shtatë kamerat, që do të monitorojnë secilën nga portat e mbrojtura nga portierët në 64 ndeshjet e Botërorit, hyjnë në funksion menjëherë sapo topi kalon zonën e 16 metrave të fundit. Lentet e ndjeshme fiksojnë çdo lëvizje të topit, lojtarëve, por edhe arbitrave, ndërsa transmetimi i të dhënave bëhet përmes kabllove me fibër optikë. Sinjalet i dërgohen më pas një serveri dhe programi filtron pamjet për të transmetuar në një monitor imazhin e topit dhe vijën fatale. Gjithçka ne përshkruam më sipër, ndodh me shpejtësinë marramendëse dhe arbitri e ka shumë të thjeshtë të marrë një vendim përpara se lojtarët të ngrenë duart për pretendimet e tyre. Nëse topi e kalon vijën fatale, atëherë kompjuteri i dërgon një sinjal pajisjes që gjyqtari do të mbajë në kyçin e tij të dorës.

“Debati ishte gol apo jo me teknologjinë në vijën fatale ka marrë fund njëherë e përgjithmonë”, – deklaroi për “Bild”, shefi i kompanisë gjermane.