10 marinarë të zhdukur në Singapor, përplaset luftanija me cisternën e naftës
10 marinarë konsiderohen të zhdukur dhe pesë janë lënduar pasi një luftanije amerikane dhe një cisternë nafte u përplasën pranë brigjeve të Singaporit...

Luftanija amerikane po lundronte në lindje të Singaporit dhe po përgatitej të ndalonte në port kur ndodhi përplasja me anijen me flamur liberian. Përplasja ndodhi në orën 5:24 sipas orës lokale, në ngushticën e Singaporit, teksa luftanija amerikane po përgatitej të bënte ndalesën rutinë në Portin e Singaporit.
Autoritetet thanë se luftanija ishte dëmtuar në anën e majtë, çka edhe bëri që ajo të anohej. Cisterna me të cilën u përplas luftanija, ka pësuar dëme në një nga depot e saj, por asnjë nga ekuipazhi nuk është lënduar dhe nuk ka pasur as rrjedhje nafte në det. Anija cisternë, 182 metra e gjatë, kishte një ngarkesë 30 mijë tonëshe, pra ishte rreth tre herë më e rëndë se luftanija amerikane.
Helikopterët e ushtrisë amerikane dhe anijet e Marinës së Singaporit dhe Malajzisë, bashkë me rojat bregdetare, po kryejnë operacionin e kërkimit dhe shpëtimit. Sipas marinës amerikane, katër nga marinarët e lënduar kanë lëndime të lehta dhe janë evakuuar menjëherë drejt një spitali në Singapor. Kjo është përplasja e dytë e një anijeje të marinës amerikane në muajt e fundit.
REJHANE BUSHI-METAJ
