"LIDHJA E PRIZRENIT"
Tetovë: Përkujtohet 136 vjetori i "Lidhjes së Prizrenit”
11.06.2014 17:00
Në këtë manifestim u mbajt edhe ora letrare, “Lidhja na bashkon”, ku poetët nga Tetova kanë recituar vargjet e poezive të tyre..........

Me rastin e 136 vjetorit të “Lidhjes së Prizrenit”, Shoqata për Kulturë dhe art “Tradita” nga Tetova, mbrëmë organizoi manifestimin kulturor “Eja”.
Në këtë manifestim u mbajt edhe ora letrare, “Lidhja na bashkon”, ku poetët nga Tetova kanë recituar vargjet e poezive të tyre. Kryetari i Shoqatës për Kulturë dhe Art “Tradita”, theksoi se në këtë manifestim kujtojmë lëvizjen e fuqishme shqiptare të organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake.
“Në kuadrin e përcaktimeve tona për avancimin e veprimtarive kulturore, kultivimin e traditës, realizimin e aktiviteteve shkencore dhe manifestimeve artistike, e organizuam sot këtë manifestim që përkon me 136 vjetorin e “Lidhjes së Prizrenit” dhe me këtë rast e kujtuam lëvizjen e fuqishme shqiptare të organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake. Në këtë përvjetor, të 136-in me radhë, Shoqata “Tradita”, iu bashkua dhjetëra aktiviteteve që mbahen gjithandej në hapësirën shqiptare, për të përkujtuar 10 qershorin e vitit 1878 kur në Prizren Kuvendi i Lidhjes hapi dyert për të pritur delegatët e katër Vilajeteve të Shqipërisë, si Vilajetit të Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës”, deklaroi kryetari i Shoqatës për Kulturë dhe Art “Tradita”, Selam Sulejmani.
Rreth Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit dhe ndikimeve që pati kjo ngjarje për zhvillimet e mëvonshme historike, prof. dr. Ejup Ajdini paraqiti një referat tematik që elaboroi në vija të përgjithshme ecurinë pozitive në edukimin e popullit shqiptar me ndërgjegjen kombëtare nëpërmjet shkollës shqipe, letërsisë shqiptare dhe publicistikës patriotike.
“Më 1878, pra136 vite më parë u ngrit zëri i arsyes, zëri protestues i shpirtit shqiptar. Kjo ishte “Lidhja e Prizrenit”, e cila hodhi idenë e lirisë dhe të bashkimit kombëtar, duke tejkaluar përmbi ndarjet fetare e krahinore, mbi interesat meskine dhe përmbi aventurat personale. Mu këtu qëndron rëndësia historike e saj. Kjo ishte lëkundja e madhe, më e madhja e historisë sonë kombëtare, e cila erdhi jo vetëm si nevojë e domosdoshme e popullit tonë, por edhe një detyrim moral ndaj padrejtësive që i bëheshin kombit tonë nga fuqitë e mëdha”, - theksoi prof. dr. Ejup Ajdini.
Në këtë manifestim kulturor u interpretuan edhe disa pika muzikore dhe u shfaq një ekspozitë nga studentët e Fakultetit të Arteve të USHT-së.
Përndryshe, manifestimi që u organizua nga Shoqata për Kulturë dhe Art “Tradita”, është mbështetur nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, Komuna e Tetovës, Komuna e Zhelinës, Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Shtypshkronja “Arbëria Desing”.
