Maqedoni

Tërheqja e personelit të Ambasadës serbe, Vuçiç: Veprime ofensive kundër interesave serbe; Daçiç: Të përzier edhe faktorë të jashtëm

21.08.2017 15:43

Punonjësit e Ambasadës serbe në Maqedoni janë tërhequr mbrëmjen e së dielës nga Shkupi...

Punonjësit e Ambasadës serbe në Maqedoni janë tërhequr mbrëmjen e së dielës nga Shkupi pas marrjes së provave të veprimeve shumë ofensive kundër organeve dhe institucioneve serbe, ka deklaruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe shefi i Diplomacisë, Ivica Daçiç. Sipas tyre, nga autoritetet kompetente të inteligjencës në Serbi janë siguruar dëshmi të mjaftueshme për veprime shumë ofensive ndaj organeve dhe institucioneve të Serbisë.                
                                                                   
"Është detyrë e jona që njerëzit tanë të jenë të përgatitur dhe të gatshëm.  Do të ketë disa ndryshime në stafin tonë dhe do të mbrojmë miqësinë tonë mes serbëve dhe maqedonasve. Ka shumë spekulime dhe mendoj se në 10 ditët e ardhshme gjithçka do të jetë shumë më e qartë”,- deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
 
Presidenti serb po ashtu thotë se vendi i tij duhet të mbrojë interesat duke aluduar në mbështetjen që Maqedonia dhe Mali i Zi mund t’i japin anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
 
“Do të ndërtojmë marrëdhënie të mira me Shkupin, por marrëdhëniet do të duhet të bazohen në respektin e ndërsjellë. Do të shohim nëse shqiptarët do të fillojnë të bashkohen me Kosovën në UNESCO, atëherë ne do të presim atë që do të thonë Shkupi dhe Podgorica. Është e jona të përgatitemi dhe të jemi në gjendje të përgjigjemi",- tha Vuçiç.
 
Në vijë të njëjtë është edhe shefi i Diplomacisë serbe, Daçiç, i cili nga shtypi serb citohet të ketë deklaruar se një pjesë e personelit të ambasadës do të kthehet në Shkup gjatë javës së ardhshme, ndërsa ambasadori do të kthehet më vonë.  
 
"Javën e ardhshme, pas takimeve që do të kemi këtu, një pjesë e stafit do të kthehet në Shkup, ndërsa ambasadori do të kthehet më vonë, kur të përfundojmë të gjitha konsultimet që ne synojmë t’i realizojmë këtu në Beograd",- theksoi Daçiç. Sipas tij, në ofensivën e veprimit kundër interesave serbe në Maqedoni janë të përzier edhe faktorë të jashtëm. 
 
Por, megjithëse as Vuçiç e as Daçiç nuk saktësuan se cilat interesa serbe janë vënë në rrezik, deklaratat e tyre lënë të kuptohet se bëhet fjalë për mbështetjen që pritet t’i japë Maqedonia anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
 
Ndërkohë, me anë të një komunikate Qeveria e Maqedonisë ka sqaruar se vendi zhvillon marrëdhënie miqësore me të gjitha vendet fqinje. Kur ekzistojnë çështje të hapura sensitive midis dy fqinjëve tanë, Qeveria e Maqedonisë gjithmonë i ndjek interesat e shtetit bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal, neutralitetit dhe mospërzierjes në kontestet midis vendeve",- thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë. Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, Maqedonia paralajmëron qëndrim të njëjtë me shumicën e vendeve të BE-së. 
 
"Lidhur me votimin e anëtarësimit të Kosovë në UNESCO, Qeveria e Republikës së Maqedonisë do ta ketë parasysh pozicionin e shumicës së vendeve anëtare të BE-së",- thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë. Paraprakisht, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë informon se ka qenë e njoftuar nga ana e Ambasadës serbe se personeli do të tërhiqet në konsultime në Beograd, por nuk ishte njoftuar për shkaqet. 
 
“Sipas dispozitave përkatëse të Konventës së Venedikut për marrëdhënie diplomatike, institucionet përkatëse të Maqedonisë po ndërmarrin masa për mbrojtje të sigurisë dhe integritetit të Ambasadës së Serbisë në Shkup",- thuhet në njoftimin e MPJ-së. 
 
GYLTENE SINANI