Maqedoni
Aksidenti në autostradën Veles - Shkup, vdes një nga të lënduarit; Taravari: Të lënduarit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetë
21.08.2017 16:19
Ndërroi jetë një grua 68 vjeçare e cila kishte marrë lëndime të rënda në aksidentin e djeshëm në autostradën Shkup - Veles...

Ndërkohë gjendja e të lënduarve të tjerë është stabile, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Ai theksoi se brenda dy ditëve pritet që shumica e pacientëve të lirohen nga spitalet në Shkup dhe në Veles, ku janë pranuar gjithsej 27 të lënduar.
“Në Klinikën universitare për sëmundje kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” janë pranuar gjashtë persona. Në spitalin e përgjithshëm në Veles janë pranuar katër pacientë dhe të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë. Në Klinikën “Nënë Tereza” janë sjellë 17 pacientë, prej të cilëve katër në “Karil”, një pacient me gjakderdhje abdominale, një me lëndim dhe dy me lëndime më të lehta. Një pacient është në kirurgjinë për fëmijë, dy pacientë në neurokirurgji, shtatë janë në ortopedi, tre të lënduar për momentin janë në Qendrën urgjente kirurgjikale për observim. Në Spitalin shtetëror “8 Shtatori” është pranuar vetëm një pacient me lëndime serioze, por në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
“Për fat të mirë të gjithë pacientët të cilët janë pranuar dje pas fatkeqësisë që ndodhi në rrugën Shkup - Veles janë në situatë stabile jashtë çdo rrezikut për jetë. Për fat të keq vetëm një pacient ka ndërruar jetë dhe ajo është një grua që qysh dje me lëndimet e rënda të pjesës së gjoksit supozohet të ketë qenë plasje e një ene të gjakut shumë të rëndësishme në toraks dhe ajo ka qenë arsyeja e vdekjes se saj. Në situatë të rëndë është edhe një vajzë 9 vjeçare e cila ka pasur gati se dorën të amputme, por për fat të mirë kirurgët tanë me ndihmën e specializimeve, d.m.th. kirurg për fëmijë, kirurg vaskularë dhe traumatologë, kanë arritur që komplet ta kthejnë në funksion dorën e vajzës”,- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Taravari po ashtu njoftoi se edhe pacientët tjerë janë në situatë relativisht stabile dhe beson se gjysma e pacientëve 2-3 ditët e ardhshme do të lëshohen në shtëpi, kurse pacientët tjerë do mbahen deri në shërimin e plotë. Aksidenti rrugor ndodhi mbrëmë rreth orës 19 kur autobusi me targa të Maqedonisë, i cili ka transportuar udhëtarë që ktheheshin nga verimi në Greqi, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga në autostradën Veles - Shkup. Ekspertizë në vendin e ngjarjes kanë kryen prokurori publik dhe ekipi ekspert i SPB - Veles.
AIDA ZYBERI
