KULTURË

Festival muzikor multietnik në Gostivar

11.06.2014 17:04

Mbrëmë, për herë të parë në Gostivar u mbajt festivali muzikor me karakter multietnik, “Gostivar Future Music Festival”, ku pjesëmarrës ishin artistë të rinj gostivaras nga të gjitha bashkësitë etnike.........

Mbrëmë, për herë të parë në Gostivar u mbajt festivali muzikor me karakter multietnik, “Gostivar Future Music Festival”, ku pjesëmarrës ishin artistë të rinj gostivaras nga të gjitha bashkësitë etnike. Ideja e këtij organizimi rrjedh nga ana e Komunës së Gostivarit, konkretisht nga Këshilli Rinor i Komunës së Gostivarit, të cilët përmes këngës dhanë mesazh për një bashkëjetesë më të mirë.
 
“Ky organizim ka për qëllim që përmes muzikës t’i bashkojë të gjithë të rinjtë e Gostivarit dhe promovimin e talenteve të rinj gostivaras”, deklaroi Atibe Arifi, kryetare e Këshillit Rinor të Komunës së Gostivarit.
 
Festivali u organizua në qendër të qytetit, ku pjesëmarrës ishin artistë të rinj gostivaras nga të gjitha etnitetet, si Sarita Selmani, Nick Veljanoski, Ebrar Mazhar, Da Lee, Beti Јovanoska, Shadan Baki, Arta Memedi, Pero Pandiloski, Murat Qamili, Jordan Jamzz Ivanovski, Mia Morina, Adhurim Deari si dhe DJ Chronic. 
 
Në këtë mbrëmje u promovua edhe kënga e kënduar në tre gjuhë: shqip, maqedonisht dhe turqisht, “From Gostivar with Love”, nga artistët gostivaras. (LULZIM AZIRI, TVM2)