Botë

Itali - tërmeti në Iskia, dy viktima, rreth 40 të lënduar

22.08.2017 09:29

Ka shkaktuar dy viktima dhe të paktën 39 të plagosur tërmeti i magnitudës 4 ballë që goditi mbrëmjen e së hënës ishullin italian të Iskias...

Mediat italiane thonë se të paktën 10 persona të tjerë konsiderohen të humbur pasi ndërtesat në qytezën Kazamiçola u shembën. Një nga viktimat, një grua, ishte vrarë pasi ishte goditur nga blloqet e gurit që binin nga kisha e Santa Maria del Suffragio.
 
Skuadrat e emergjencës kanë punuar gjatë gjithë natës për të shpëtuar të bllokuarit nën rrënoja, mes të cilëve edhe fëmijë. Ekipet kanë mundur të shpëtojnë madje edhe një bebe 7-muajshe nga rrënojat, në orët e para të mëngjesit të së martës. Kërkuesit e cilësuan këtë një mrekulli. 
 
“Mbrëmë, rreth orës 21, u ndje një tërmet 4 ballësh i ndjekur nga 14 tërmete më të vogla. Një grua mbeti viktimë pranë kishës së Shën Xhorxhias. Po punojmë t’u ndalim në ndihmë banorëve në Kasamiçiola dhe Laco Ameno. Deri tani kemi nxjerrë tre persona të gjallë nga gërmadhat. Dy tragete janë gati të transportojnë 1650 njerëz dhe presim edhe tragete të tjerë të na bashkëngjiten”,- deklaroi drejtori i mbrojtjes civile, Angelo Borrelli.
 
“Kemi rreth 100 zjarrfikës në gatishmëri dhe po kërkojmë ndërtesat e shembura për të mbijetuarit. Të gjithë janë të trajnuar për nxjerrjen e njerëzve të zënë nën gërmadha nga tërmeti”,- tha shefi i zjarrfikësve, Bruno Frattasi.
 
Ishulli pranë brigjeve të Napolit ka një popullatë prej rreth 50 mijë banorësh dhe është shumë i frekuentuar nga turistët. Pamjet tregojnë dëmet e mëdha që i janë shkaktuar ndërtesave, përfshirë edhe një kishë historike. Edhe një spital është evakuuar për shkak të dëmeve të pësuara.
 
Ekipet e emergjencës ndodheshin në ishull që më herët për shkak të zjarreve. Instituti Kombëtar italian i Gjeofizikës dhe Vullkaneve e ka përcaktuar si një tërmet 4-ballësh, ndërsa homologët e tij evropianë dhe amerikanë flasin për një lëkundje toke 4.3-ballëshe.
 
AIDA ZYBERI