Botë

Kosovë, homazhe për Bajram Rexhepin

22.08.2017 11:37

Në hollin e Kuvendit të Kosovës po mbahen homazhe në nderim të veprës së kryeministrit të parë të pasluftës në Kosovë, Bajram Rexhepi, i cili ndërroi jetë dje në spitalin e Stambollit...

Arkivoli me trupin e pajetë të ish-kryeministrit të Kosovës tashmë ka arritur në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku për dy orë do të bëhen homazhe në nderim të vdekjes së tij, ndërsa më vonë në Teatrin Kombëtar në Prishtinë do të mbahet një mbledhje komemorative.
 
Ish-kryeministri Rexhepi do të varroset me ceremoni shtetërore në vendlindjen e tij në Mitrovicë në orën 16:30. Paraprakisht, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shpallur ditën e sotme ditë zie, ndërsa flamujt shtetërorë janë ulur në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
 
“Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e martë, 22 gusht 2017, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës pas vdekjes së Dr. Bajram Rexhepit - veteran i UÇK–së, ish-kryetar i Komunës së Mitrovicës, ish-kryeministër i Kosovës, ish-ministër i Punëve të Brendshme, ish-deputet i Republikës së Kosovës dhe kirurg”,- thuhet ndër tjerash në vendimin e presidentit Thaçi.