Botë
ISIS pëson humbje të mëdha në Irak dhe Siri
22.08.2017 12:08
Sekretari i Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, Jim Mattis, ka arritur në Irak, në një vizitë të papritur...

Sekretari i Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, Jim Mattis, ka arritur në Irak, në një vizitë të papritur, dy ditë pasi forcat irakiane të mbështetura nga ShBA-ja kanë shtypur një sulm në Tal Afar, njërin nga vendet e fundit që kontrollohen nga militantët e grupit ekstremist, “Shteti Islamik”.
Tal Afar gjendet 80 kilometra nga Mosuli dhe rreth 150 kilometra nga kufiri me Sirinë. Forcat irakiane kanë nisur aksionin e tyre ushtarak për marrjen e kontrollit në këtë pjesë. Aksioni i irakianëve ka ardhur pasi ushtarët e këtij vendi kanë shënuar fitore në Mosul gjatë një beteje nëntë mujore me militantët e “Shtetit Islamik”. Kjo ka qenë humbja më e madhe për grupin ekstremist sunit, “Shteti Islamik”, prej përhapjes së tij në veri të Irakut, gjatë verës së vitit 2014.
Edhe komandanti rus, Sergei Rudskoi, ka thënë se Moska dhe forcat e qeverisë siriane kanë bërë përparim të shpejtë gjatë muajit të kaluar, duke përndjekur militantët e “Shtetit Islamik” nga qendra e Sirisë dhe nga baza e tyre në lindje të këtij vendi, Deir el-Zour. Duke folur para gazetarëve në Moskë, Rudoksoi ka thënë se aeroplanët rusë kanë vrarë afro 800 militantë gjatë këtij muaji dhe tani janë duke bërë 60-70 fluturime brenda ditës për të targetuar militantët e zonave të tjera që synojnë t’i bashkohen luftimeve në bazën në lindje. Ai ka thënë se trupat siriane janë duke avancuar në tri drejtime për të rrethuar bazën, Deir el-Zour.
Rudksoi ka theksuar se militantët e larguar nga forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara prej qytetit irakian, Mosul, dhe atij sirian, Raka, janë mbledhur në Deir-el-Zour, për të krijuar bazën qendrore. Sipas tij, vetëm gjatë këtij muaji, aeroplanët luftarakë të Rusisë kanë qenë pjesë e 990 misioneve, duke shkatërruar 40 mjete të armatosura dhe duke lënë të vdekur rreth 800 militantë. Rudskoi ka shtuar se krijimi i zonave të sigurta në Siri, sipas planit të Rusisë me Turqinë dhe Iranin, i ka ndihmuar ushtrisë ruse që të fokusohet në luftimin e “Shtetit Islamik”.
