Maqedoni

Sot fillon procedura për prokurorin e ri

22.08.2017 12:58

Sot fillon procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri publik. Zëdhënësi qeveritar, Mile Boshnjakovski...

Sot fillon procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri publik. Zëdhënësi qeveritar, Mile Boshnjakovski, ka paralajmëruar se Qeveria në seancën e sotme do të vendosë në rend dite Propozim-konkluzionin me të cilin do t'i rekomandohet Kuvendit të njoftojë emërimin e prokurorit publik.
 
Sipas nenit 41 të Ligjit për Prokurori Publike, Kuvendi me propozim të Qeverisë e njofton emërimin e prokurorit publik në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë dhe të paktën në dy gazeta ditore prej të cilave një nga gazetat që botohet në gjuhën shqipe. Afati për paraqitjen e kandidatëve është 15 ditë nga publikimi i shpalljes në "Gazetën Zyrtare". Këshilli i Prokurorëve Publik, ndërkaq, ka afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të dokumenteve të japë mendim pozitiv apo negativ për të gjithë kandidatët e paraqitur.
 
Pastaj, procedura vazhdon në Qeveri, e cila në seancë i shqyrton kandidaturat, përfshirë edhe mendimin e Këshillit të Prokurorëve Publik dhe duhet të marrë vendim për njërin nga kandidatët për të cilin paraprakisht ekziston mendim pozitiv nga Këshilli. Vendimi shkon në Kuvend si propozim zgjidhje. Për emërimin e prokurorit publik Kuvendi vendos me shumicë të thjeshtë prej 61 votash.
 
Mandati i prokurorit publik shtetëror është gjashtë vjet me të drejtë të rizgjedhjes. Me propozim të Qeverisë, Kuvendi më 17 gusht e shkarkoi Marko Zvërlevskin nga funksioni prokuror publik me arsyetimin se Zvërlevski e ka kryer funksionin në mënyrë joligjore dhe joprofesionale.