Botë

Sulmi në Barcelonë, policia ekzekuton shoferin e furgonit

22.08.2017 13:47

Policia spanjolle ka konfirmuar se personi i qëlluar prej efektivëve gjatë një operacioni në periferi të Barcelonës është Jones Abujakub...

Policia spanjolle ka konfirmuar se personi i qëlluar prej efektivëve gjatë një operacioni në periferi të Barcelonës është Jones Abujakub, i dyshuari kryesor si drejtues i furgonit që u përplas mbi turmën e këmbësorëve, duke lënë 13 të vdekur në “Las Ramblas” të enjten e kaluar.
 
Ai mbante një rrip të rremë shpërthyes në momentin kur u qëllua në zonën Subirats, shumë pranë Sant Sadurni d’Anoia, deklaroi zyrtarisht policia spanjolle, që shtoi se kishte rënë në gjurmët e terroristit pas dëshmisë së një personi që e kishte përshkruar thuajse identik të kërkuarin pranë një karburanti. Katër të arrestuarit si të dyshuar për sulmin janë transferuar në burg deri në gjykimin e paraparë për 22 gusht. Tranferi është bërë nën masa të larta sigurie.
 
Sulmi me furgon në sheshin “Las Ramblas” të mbushur plot me turistë la 13 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur. Raportimet e medias, që citojnë burime nga policia, thonë se Abujakub kishte thirrur “Allahu Akbar” kur u konfrontua me policinë. Operacioni policor u zhvilluar rreth 40 km larg Barcelonës.
 
Oficerë për çaktivizimin e bombave ishin të pranishëm në vendngjarje, së bashku me një robot, për të ekzaminuar atë që rezultoi të ishte një brez eksplozivi i rremë. Policia konfirmoi se Abujakub ka vdekur.
 
REJHANE BUSHI-METAJ