Marrëdhëniet Shkup – Beograd, mediat serbe i shpallin “luftë” qeverisë Zaev

22.08.2017 14:07

Luftës diplomatike të Beogradit ndaj Shkupit i janë bashkangjitur edhe mediat e shtetit fqinj....

Luftës diplomatike të Beogradit ndaj Shkupit i janë bashkangjitur edhe mediat e shtetit fqinj.

Në një fushatë të sinkronizuar, mediat serbe sulmojnë kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, të cilin e paraqesin përgjegjës për spiunimin e personelit serb të Ambasadës dhe funksionarëve serbë.

“Zaev i ka shpallur luftë Serbisë”,vëllai Zaev, thikë pas shpine”, “shërbimet e Maqedonisë i kanë përcjellë dhe i kanë frikësuar diplomatët serbë”, “Maqedonia i ka përgjuar diplomatët serbë?!”, këto janë disa nga titujt e gazetave të Serbisë, pasi mbrëmjen e së dielës diplomatët e Ambasadës serbe në Shkup u tërhoqën për konsultime në Beograd.

Mediat serbe shkruajnë se Maqedonia i ka përgjuar funksionarët e Serbisë me ndihmën e një shërbimi tjetër sekret, në mesin e të cilëve edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe të gjithë diplomatët serbë.

MARRËDHËNIET SHKUP – BEOGRAD, “KATHIMERINI”: KOSOVA, SHKAK I KONTESTIT TË RI

Edhe Athina po i ndjek me shqetësim ngjarjet në Ballkan pasi Serbia e tërhoqi tërë personelin nga Ambasada e saj në Shkup dhe e akuzoi Maqedoninë për “aktivitete ofensive” në zemërimin e dukshëm për shkak të përmirësimit të marrëdhënieve me fqinjin e saj me Kosovën, shkruan botimi elektronik i gazetës greke “Katimerini”. Sipas gazetës, Beogradi duket se është tërbuar pas përparimit të dukshëm në marrëdhëniet mes Shkupit dhe Prishtinës.

Gazeta thekson se kontesti i ri  vjen pasi qeveria e re e Shkupit po bën përpjekje të ringjallë kandidaturën e saj për anëtarësim në BE dhe NATO, pas periudhës të jostabilitetit politik në vend. Greqia insiston që kontesti me "IJRM"-në lidhur me emrin e saj zyrtar të zgjidhet para se vendi të inkuadrohet në organizatat ndërkombëtare",- shkruan "Katimerini".

Maqedonia edhe më herët ka potencuar se gjatë vendimit për pranimin e Kosovës në UNESCO do të ketë parasysh mendimin e shumicës së vendeve anëtare. (Besim Abdullahu, TVM2)