Maqedoni

Ruzhin: Votimi i Kosovës në UNESCO hidhëron Serbinë; Ibraimi: Politika jonë rajonale nuk i përshtatet serbëve

22.08.2017 15:06

Ftohja e marrëdhënieve me Serbinë dhe tërheqja e korit diplomatik nga Maqedonia është pasojë e ndikimit rus

Ftohja e marrëdhënieve me Serbinë dhe tërheqja e korit diplomatik nga Maqedonia është pasojë e ndikimit rus, ndryshimit të Qeverisë në Maqedoni dhe përkrahjes së paralajmëruar të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, vlerëson njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Nano Ruzhin.
 
Kjo është një fazë e keqe në marrëdhëniet mes të dyja vendeve dhe ekziston mundësia që e njëjta shpejtë të harrohet, por mund edhe të degjenerojë në ftohje edhe më të mëdha të marrëdhënieve, thotë Ruzhin.
 
“Bëhet fjalë për shumë çështje dhe ajo është ndërrimi i Qeverisë në Maqedoni duke pasur parasysh se iku qeverisja e afërt me Vuçiçin. E dyta është interesi i Rusisë përmes Serbisë të rrisë ndikimin e saj dhe në këtë mënyrë shkohet drejt prishjes së marrëdhënieve me Maqedoninë, dhe e treta është se Serbia dëshiron të luajë në kartën e shtypjes që ka të bëjë me vendimet për votimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Serbia në këtë drejtim nxjerr argumentin se mund të anulojë pranimin e emrit kushtetues”,- deklaroi analisti, Nano Ruzhin.
 
Sipas profesorit universitar, Selim Ibraimit, Serbinë e ka hidhëruar politika e re rajonale që po udhëheq Maqedonia, gjë e cila, sipas tij, në të ardhmen mund të ndikojë në ndryshimin e politikave serbe ndaj Maqedonisë.
 
“Qeveria e Maqedonisë ka theksuar se është e gatshme të gjitha çështjet kontestuese t’i sqarojë përmes politikave të drejta. Në aspektin rajonal mendoj se Maqedonia është duke zhvilluar një politikë tjetër dhe kjo sigurisht nuk u përshtatet politikave serbe dhe ky konfrontim serbo-maqedonas ka zgjuar interesin e faktorëve të tjerë. Politika serbe, tendencat e saj sigurisht se do të ndikojnë në rikonfigurimin e politikave rajonale, politikës së re që po lind në Ballkan”,- u shpreh profesori universitar, Selim Ibrahimi.
 
Autoritetet serbe sërish kanë paralajmëruar Maqedoninë se nuk po vepron si duhet duke favorizuar disa vende fqinje në kurriz të të tjerëve, edhe pse qeveria e re proklamon marrëdhënie njësoj të mira me të gjithë fqinjët.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI