Daçiq: Ne dimë gjithçka, kështu nuk veprohet me miqtë, Osmani: Marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, thotë se vendimi për tërheqjen....

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, thotë se vendimi për tërheqjen e personelit nga Ambasada në Maqedoni është porosi e qartë për Shkupin zyrtar, se Beogradi “di gjithçka se për çka janë dakorduar” dhe kjo, sipas tij, është diçka që nuk iu bëhet miqve.
Por, Serbia dëshiron marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet e rajonit për shkak të paqes dhe stabilitetit. Daçiq paralajmëroi se për situatën e sapokrijuar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të mërkurën do të bisedojë në telefon me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, ndërsa ai do të dëgjohet me kolegun e tij të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.
“Serbia dëshiron ta qetësojë situatën e sapokrijuar me Maqedoninë, e cila nuk bazohet në supozime, por në fakte të konfirmuara pa mëdyshje, të cilat flasin për veprimin e përforcuar ofensivë ndaj Serbisë”,- theksoi ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.
Sa i përket paralajmërimeve se Maqedonia do t’i ndjekë shumicën e shteteve të BE-së në lidhje me kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, Daçiq theksoi se edhe Beogradi mund ta anulojë vendimin paraprak dhe ta njohë Maqedoninë me emrin që e shfrytëzon Brukseli dhe ai është IRJM.
“Respektojmë reciprocitetin, si ju me ne, ashtu edhe ne me ju”,- deklaroi Daçiq. Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, ndërkohë, thotë se Maqedonia është e interesuar për marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët.
“Për ne është me rëndësi t’i mbyllim çështjet e hapura me të gjithë fqinjët, e treguam me Athinën dhe Bullgarinë. Në këtë drejtim nuk do të ndërmarrim vendime të nxituara, por do të presim të mësojmë të gjitha detajet rreth kësaj çështje. Me rëndësi që të dyja palët të kenë vullnet për kthimin e marrëdhënieve në normalitet”,- u shpreh zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
Osmani thotë se qëndrimi i qartë rreth përkrahjes së anëtarësimit të Kosovës në UNESCO do të dihet në momentin kur Kosova të aplikojë për anëtarësim, e kjo për momentin nuk ka ndodhur. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
