VMRO-BDI

VMRO dhe BDI edhe një apel opozitës

11.06.2014 18:13

Shumica parlamentare është optimiste se opozita do të korrigjojë vendimin e saj dhe do të kthehet në Kuvend...........

Shumica parlamentare është optimiste se opozita do të korrigjojë vendimin e saj dhe do të kthehet në Kuvend. Sipas deputetes së VMRO-DPMNE-së, vetë fakti që deputetët e LSDM-së kanë deponuar llogaritë e transaksionit në Kuvend dhe kanë marrë rrogën e parë, ndërsa ish-deputetet e kësaj partie kanë parashtruar kërkesë për apanazhë, nënkupton që LSDM njeh legjitimitetin e kësaj përbërje të Kuvendit Republikan. 
 
“Marrë parasysh këto dy gjëra, unë nuk do të parashtroja pyetjen nëse opozita e njeh legjitimitetin e këtij institucioni ligjvënës, por besoj se është çështje ditësh kur opozita do të gjejë forcën në interes të Republikës së Maqedonisë, të kthehet në Kuvendin e RM-së dhe të punojmë bashkë për të mirën e qytetarëve”, deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Silvana Boneva.
 
Edhe grupi parlamentar i BDI-së ka ftuar opozitën maqedonase që të kthehet në Kuvend. Deputeti Rafiz Haliti, në emër të grupit parlamentar, tha se pavarësisht pakënaqësive për padrejtësitë e mundshme, opozita duhet të bëjë debatin në Kuvend.
 
“Deputetët e LSDM-së të kthehen në Kuvend, pasi që vendi i opozitës është pikërisht këtu në Kuvend dhe jo jashtë Kuvendit. Interesat shtetërore mbrohen pikërisht këtu në Kuvend, jo jashtë Kuvendit, por edhe interesat e elektoratit që i kanë votuar deputetët e LSDM-së, gjithsesi se duhet të mbrohen këtu në Kuvendin e RM-së”, theksoi deputeti i BDI-së, Rafis Haliti.
 
Debati për kthimin e opozitës u hap në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime, para miratimit të kërkesave për apanazhë të parashtruara nga deputetët që u ka mbaruar mandati. 
Deri më tani gjithsej 51 ish-deputetë kanë fituar të drejtën për të marrë rrogë edhe një vit pas përfundimit të mandatit të tyre. (SHPËTIM NUREDINI, TVM2)