Maqedoni
Zgjedhjet lokale, KShZ përzgjedh anëtarët e KKZ-ve
22.08.2017 16:13
Komisionet komunale zgjedhore filluan përzgjedhjen përmes softuerit kompjuterik të anëtarëve të këshillave zgjedhorë për zgjedhjet lokale të 15 tetorit...

20 mijë e 888 persona do të zgjidhen me përzgjedhje rastësore nga radhët e administratës në 4 ditët e ardhshme. Mes tyre zgjidhen kryetarët e komisioneve, nënkryetarët dhe anëtarët e 80 KKZ-ve.
Për këtë qëllim, Ministria për shoqëri informatike dhe administratë ka dorëzuar para dy javësh në KShZ regjistrin e të punësuarve në administratë me gjithsej 115 mijë e 729 persona. Anëtarja e KShZ-së, Silvana Boneva, u ankua se shërbimi IT nuk është dorëzuar sipas të dhënave të komunave e strukturës etnike, por vetëm numrin e përgjithshëm të të punësuarve në administratë.
“Drejtuesit e sektorit IT nuk iu kanë dorëzuar as anëtarëve të KShZ-së e as atyre të KKZ-ve një përmbledhje të tillë të ndarë në bazë të komunave dhe të strukturës etnike të të punësuarve në administratë. Kjo është në kundërshtim me vendimin e KShZ-së dhe komisioni duhet të reagojë seriozisht rreth kësaj sjellje të sektorit IT”,- deklaroi anëtarja e KShZ-së, Silvana Boneva.
Por, zëdhënësja e KShZ-së e hedh poshtë çdo mundësi për manipulim.
“Nuk mund të ketë ndonjë manipulim sepse baza e të dhënave është marrë nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, dhe ata përzgjidhen në mënyrë rastësore, kështu që nuk ka hapësirë për manipulim ose vetëm të hapet ndonjë dyshim i tillë”,- theksoi zëdhënësja e KShZ-së, Arjeta Xhemaili.
Këshillat zgjedhorë kompletohen edhe me nga një anëtar dhe zëvendës të tij, që propozohen nga partitë politike në pushtet dhe opozitë që kanë marrë më shumë vota në zgjedhjet e fundit. Janë gjithsej 13.924 anëtarë që do të vijnë si propozim i partive. Afati për dorëzimin e emrave është 26 gushti, e nëse partitë nuk i dorëzojnë emrat, ata zgjidhen nga radhët e administratës.
Për zgjedhjet e tetorit, në 80 komisionet komunale do të formohen 3.481 këshilla zgjedhorë me 34.810 punonjës të përzgjedhur nga administrata dhe partitë politike. Prej dje KShZ ka hapur për këqyrje publike edhe listën zgjedhore, që do të zgjasë deri më 9 shtator në mesnatë, gjithashtu edhe për grumbullimin e nënshkrimeve nga grup zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të komunës dhe këshillit komunal që zgjat deri më 4 nëntor në mesnatë.
SEMRA AJETI
