Maqedoni

Kompleksi universitar “Nënë Tereza”, shpallet konkursi për përzgjedhjen ideore

22.08.2017 17:23

Shpallet konkursi për përzgjedhjen ideore të Kompleksit Universitar “Nënë Tereza” në Shkup...

Detyra projektuese është përgatitur mbi kriteret më të larta të standardizuara në përputhje me programet studimore që janë të akredituara, siç janë programet tekniko-teknologjike, informoi rektori i këtij universiteti, Aziz Pollozhani. 
 
“Objekti është i standardizuar për hapësira të cilat janë në përputhje me nevojat e Universitetit që janë me specifikat përkatëse, siç janë shkencat teknike, laboratorët e shumtë dhe gjithsej hapësira e cila është destinuar dhe është e paraparë të ndërtohet me projektin ideor është një hapësirë prej 31.980 m2, ku përveç hapësirave që i përmenda që lidhen me aktivitetin themelor të universitetit, është e paraparë ndërtimi i një pishine me dimensione gjysmë olimpike, e cila do të mund të shfrytëzohet në kohë të caktuara edhe për komunitetin”,- u shpreh rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani.
 
Zëvendësministri i Arsimit, Visar Ganiu, u shpreh se qeveria mbështet fuqishëm ndërtimin e objektit të Universitetit “Nënë Tereza”. Për këtë janë ndarë 7 milion euro për vitin 2018, ndërsa gjithsej deri në përfundimin e objektit do të ndahen afër 20 milion euro. 
 
“Me buxhetin e vitit 2018 ne si ministri kemi paraparë që afër 7 milion euro t’ia ndajmë Universitetit “Nënë Tereza” në pozicionin investime kapitale. Kështu që do të mundohemi që së bashku këtë projekt ta rrumbullakojmë. Mendoj që në tri faza, domethënë brenda 3 viteve universiteti të lëshohet në përdorim”,- u shpreh zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Visar Ganiu.
 
Thirrja publike do të jetë e hapur për 40 ditë dhe do të jetë në tre gjuhë, me qëllim që t’u jepet hapësirë konkurrimi edhe personave jashtë Maqedonisë.   Detajet e konkursit janë të afishuara në ueb faqen e Universitetit “Nënë Tereza”, unt.edu.mk. 
 
ERSAN PAJAZITI