Maqedoni

Shfrytëzimi i fondeve IPA, Osmani: ka hapësirë për t’u përmirësuar; Tevdovski: do të angazhojmë të gjitha kapacitetet

22.08.2017 17:58

Maqedonia nuk ka arritur të shfrytëzojë të gjitha mjetet e parashikuara nga fondet IPA-1, shfrytëzimi i të cilave është i destinuar me afat të caktuar...

Nga 614 milion euro të paketës së parë IPA janë realizuar vetëm 437 milion euro, apo rreth 70% prej tyre.
 
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, gjatë një raportimi mbi shfrytëzimin e këtyre mjeteve, tha se qeveria me masa konkrete do të bëjë përpjekje që të përmirësojë kapacitetin absorbues të fondeve IPA, të cilat drejtpërdrejtë ndikojnë në përmirësimin e standardit jetësor në vend.
 
“Falë këtyre mjeteve sot në Maqedoni kemi 10 stacione hekurudhore të meremetuara, shumë institucione kanë përmirësuar efikasitetin e tyre nëpërmjet sistemeve të modernizimit, siç është sistemi “tetra” në MPB apo soutverëve të ndryshëm në drejtorinë e statistikës dhe doganave janë rekonstruuar shumë rrugë rajonale, janë ndërtuar shumë stacione për filtrimin e ujit dhe janë realizuar shumë projekte infrastrukturore”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
 
Edhe ministri i Financave, Dragan Tevdovski, tha se Qeveria po bën përpjekje për angazhimin e fuqishëm të të gjitha kapaciteteve në funksion të absorbimit të fondeve IPA.
 
“Pikënisjet tona në përpunimin e planit për përmirësimin e shfrytëzimit të fondeve IPA janë tre: një, të sigurohet përkushtim më i madh në nivel politik në raport me zbatimin e fondeve IPA në Maqedoni që nuk, ka qenë rast me qeverinë e kaluar; dy, është e nevojshme që të përmirësohet ekipimi i strukturave që udhëheqin me fondet IPA dhe t’i kushtohet kujdes kuadrit me përvojë; tre, të përmirësohet funksionimi i IPA strukturave në përputhje me rregullat dhe rekomandimet e BE-së”,- u shpreh ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
 
Në ndërkohë, Qeveria po përpiqet të shpëtojë projektet e filluara të cilat duhet të përfundojnë deri në fund të vitit, midis të cilave ndodhet edhe ndërtimi i kufirit Bellanoc – Stançiç, njoftoi zëvendëskryeministri Osmani.
 
Nga ana tjetër, me programin IPA-2 janë dedikuar 644 milion euro, prej të cilave 445 euro tanimë janë të programuara, por edhe për IPA-2 ekziston rreziku për mosshfrytëzimin e tërësishëm të mjeteve, tha Osmani.
 
NAIM RAMADANI