Maqedoni
Procedura për prokuror, pritet hapi i Qeverisë
22.08.2017 18:33
Përkundër paralajmërimeve se procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri do të fillojë sot, me vendim të Qeverisë, i cili do të duhej t’i dërgohet Kuvendit...

Përkundër paralajmërimeve se procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri do të fillojë sot, me vendim të Qeverisë, i cili do të duhej t’i dërgohet Kuvendit, kjo çështje është lënë për ditën e enjte.
Konform procedurës së paraparë me ligj, Qeveria duhet t’ia dorëzojë Kuvendit propozim/konkluzën për zgjedhjen e prokurorit të ri, ndërsa Kuvendi duhet të shpall konkurs në Gazetën Zyrtare dhe në, së paku, dy gazeta ditore prej të cilave njëra në gjuhën shqipe.
Konkursi zgjat 15 ditë, ndërsa kandidatët duhet të jenë nga fusha e drejtësisë, përkatësisht juristë me provim të jurisprudencës dhe përvojë 8 vjeçare ose profesorë universitarë, të fushës, me përvojë 10 vjeçare.
Kandidati duhet të marrë pëlqimin e Këshillit të Prokurorëve dhe të Qeverisë, ndërsa Kuvendi e zgjedh me shumicë të thjeshtë, përkatësisht me 61 votë.
Deri tani, kandidatura kanë paralajmëruar disa juristë, ndër të cilët Sejfulla Osmani dhe Xvonko Davidoviq.
Edhe nga Këshilli i prokurorëve njoftojnë se po të enjten do të vendoset se kush do të ushtrojë detyrën e prokurorit, deri në zgjedhjen e prokurorit të ri.
“Ushtruesi i detyrës do të jetë nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë Publike”, njoftoi kryetari, Petar Anevski.
Për momentin, me Prokurorinë Publike udhëheq zëvendësja e ish-prokurorit Zvërlevski, Liljana Spasovska, e cila ushtron të gjitha kompetencat e kryeprokurorit deri në zgjedhjen e ushtruesit të detyrës prokuror publik nga ana e Këshillit të Prokurorëve.
Në Ligjin për Prokurori publike thuhet se prokurorin publik, me propozim të qeverisë, e zgjedh Kuvendi i Republikës, me mandat gjashtëvjeçar dhe mundësi për rizgjedhje.
SHPËTIM NUREDINI
