Botë
Sulmi ndaj Kuvendit të Kosovës, aktivistët e Vetëvendosjes mohojnë akuzën për terrorizëm
22.08.2017 19:08
Katër aktivistët e Vetëvendosjes janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për terrorizëm, që ka të bëjë me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës...

Katër aktivistët e Vetëvendosjes janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për terrorizëm, që ka të bëjë me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës mbrëmjen e 4 gushtit të vitit të kaluar.
Deputeti, Frashër Krasniqi, dhe të akuzuarit, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha refuzuan të ngrihen në këmbë gjatë leximit të aktakuzës, ndërsa më pas u deklaruan se nuk ndjehen fajtorë për këtë aktakuzë.
Gjykatësi ka vendosur ta mbyll seancën për opinionin, pasi kjo është kërkuar nga dëshmitarët. Prokuroria ka thirrur katër dëshmitarë për të dëshmuar akuzën për terrorizëm ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes.
Sipas prokurorisë, të pandehurit që nga mesi i korrikut kanë planifikuar sulmin ndaj Kuvendit me qëllim të frikësimit të përgjithshëm të popullatës në mënyrë që të pengohet ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.
Prokurori i rastit, Abdurrahim Islami, pretendon se disa fotografi të ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshmojnë se ky akt është kryer nga të akuzuar.
“Heset Ramadani do të dëshmojë se të pandehurit e kanë blerë motorin për çmimin prej 500 euro dhe kemi të bëjmë me motorin që është gjetur pas kryerjes së veprës penale, ndërsa nga deklaratat e dëshmitarit, Naser Mustafa, do të vërtetohet se telefoni nga i cili është dërguar e-maili është blerë nga Adea Batusha”,- tha Islami në seancë.
Por, deputeti i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se pikërisht dëshmia e dëshmitarit kryesor dëshmon pafajësinë e të akuzuarve, pasi kur iu kërkua t’i identifikojë aktivistët, ai tha se nuk ka mundësi ta bëjë atë dhe se nuk i kujtohen personat që e kanë blerë motoçikletën.
Lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës, përpos këtyre katër të akuzuarve, ishin të akuzuar edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e paraburgimit në Prizren në rrethana të dyshimta.
GYLTENE SINANI
