RTSH seri dokumentarësh për islamin në Maqedoni
Ekipi i Radio Televizionit Shqiptarë, për disa ditë radhazi është duke filmuar një cikël dokumentarësh në Maqedoni mbi fenë islame dhe datat e rëndësishme të saj, që do të emetohen gjatë muajit të Ramazanit……

Ekipi i Radio Televizionit Shqiptarë, për disa ditë radhazi është duke filmuar një cikël dokumentarësh në Maqedoni mbi fenë islame dhe datat e rëndësishme të saj, që do të emetohen gjatë muajit të Ramazanit.
E veçanta e këtij cikli sivjet është se moderatori dhe autori i këtyre emisioneve, gazetari Ferdinand Samarxhi, ka vendosur që nga 32 emisionet e parapara, 13 prej tyre t’ia dedikojë Maqedonisë dhe organizimit të jetës fetare islame në vendin tonë.
“Unë kam paraparë si moderator i këtij programi, që të bëjmë 12-13 emisione këtu në Maqedoni, në Kosovë 7-8, në Malin e Zi 5-6, në Shqipëri 7-8 dhe me të gjithë këto të Amerikës, Nju Jorkut dhe Detroitit dhe të Turqisë. Do të bëhen gati më se 32 emisione, pasi që emisionet e para ne do t’i japim si një informim”, deklaroi gazetar i RTVSH-së, Ferdinand Samarxhi.
BFI, si mbështetëse e këtij projekti, njëkohësisht e përshëndet këtë ide bujare, thonë se këto ndihmojnë shumë në kultivimin e fesë islame në të gjitha trojet.
“Ky hap është një mundësi e radhës që të gjithë ne bashkërisht, këtu të kultivojmë fenë islame dhe të gjitha ato që e lidhin besimtarin me të vetmin qëllim, që sa më tepër të jemi ndaj njëri-tjetrit, sa më tepër të shkëmbejmë eksperiencë, por edhe të jetë një hap për të kultivuar kulturën dhe fenë islame në këto troje”, theksoi Abaz Islami nga BFI.
Është hera e dytë që televizioni publik shqiptar përfshin edhe Bashkësinë Islame të Maqedonisë në një projekt të tillë që emitohet gjatë muajit të Ramazanit.
Por, nuk është ky i vetmi projekt i BFI-së në këtë muaj të shenjtë, pasi edhe TVM2 tashmë ka filluar xhirimet e 30 emisioneve që gjithashtu do të emetohen çdo ditë në servisin tonë në bashkëpunim me të gjitha xhamitë në Maqedoni. (Rexhep Qamili, TVM2)
