Botë
Sulmi në Barcelonë, Xhemlal: Synonim katedralen “Sagrada Familia”
23.08.2017 10:02
Vazhdojnë në Spanjë kërkimet e policisë për terroristët që organizuan sulmin në Barcelonë...

Të arrestuarit ndërkohë kanë dalë para gjykatës. Njëri prej tyre ka pranuar se sulmi i kryer ishte vetëm fillimi. Muhamed Huli Xhemlal ka pranuar planet për një sulm edhe më të madh duke përdorur eksplozivë. Katedralja ikonë “Sagrada Familia” ishte një prej objektivave të planit.
Agresorët shkaktuan vdekjen e 15 personave dhe plagosjen e mbi 100 të tjerëve në një seri sulmesh brenda dhe në periferi të Barcelonës, të enjten dhe të premten. Tetë prej pjesëtarëve të celulës xhihadiste tashmë kanë vdekur.
Dy u vranë nga shpërthimi në Alcanar, ndërsa gjashtë të tjerë u ekzekutuan nga policia më vonë. I fundit i vrarë ishte shtetasi i lindur në Marok, Jonuz Abujakub, 22 vjeç, që besohet të ketë qenë shoferi i furgonit që shtypi këmbësorët në bulevardin “Las Ramblas” të Barcelonës. Teksa mbante veshur një brez të rremë eksplozivi në trup, si dhe mbante thikë në duar, ai u qëllua për vdekje nga policia një natë më parë.
Të dyshuarit e mbijetuar u transferuan nën masa të larta sigurie nga Barcelona drejt Madridit, për t’u paraqitur në seancën e parë gjyqësore. Ata pritet të përballen tashmë me akuza të rënda, përfshi për terrorizëm, vrasje dhe zotërim armësh e municionesh. Houli Xhemlal ishte i pari që dëshmoi, teksa në gjykatë u paraqit me pizhamat e spitalit, pasi është ende duke u mjekuar për plagët e marra nga shpërthimi aksidental në Alcanar.
AIDA ZYMBERI
