Botë

Trump: Gati të mbyll Qeverinë për murin me Meksikën

23.08.2017 11:08

“Jam gati të mbyll dhe qeverinë nëse do të ishte e nevojshme për ndërtimin e murit me Meksikën”...

Kaq i vendosur është Donald Trump për të çuar deri në fund njërin prej premtimeve kyçe të fushatës së tij elektorale. Trump tha se mund t’i japë fund Nafta-s, një marrëveshje tregtare kjo me Meksikën dhe Kanadanë.
 
Gjatë fjalimit 80-minutësh, shefi i Shtëpisë së Bardhë sulmoi përsëri mediat, duke i barazuar gazetarët me tradhtarët dhe duke i quajtur ata "njerëz të këqij që nuk e pëlqejnë vendin tonë", ndërsa mbrojti komentet e tij për Sharlostvillin, të cilat shkaktuan debate të mëdha. Republikani akuzoi shtypin se nuk i raporton të plota deklaratat e tij. 
 
“A i përmendi media fjalët e mia se racizmi është i keq? Jo, ato fjalë nuk i thonë. Shtypi mund të më sulmojë mua, por unë i heq vizën aty ku nisin t’iu sulmojnë ju, sepse këtë e bëjnë ata. Sulmojnë mirësjelljen e mbështetësve tanë”,- deklaroi presidenti i ShBA-ve, Donald Trump.
 
Trump akuzoi gjithashtu demokratët opozitarë se janë “pengesë”. Duke u ndalur te Koreja e Veriut, Trump tha se shpreson se do të zvogëlohen tensionet rreth programit bërthamor të Phenjanit. Në rrugët përpara qendrës së konventave të Finiksit nuk vonoi shumë dhe shpërtheu dhuna pasi tubuesit kundër presidentit u përleshën me policinë e cila përdori edhe gaz lotsjellës dhe ujë për t’i shpërndarë.
 
Protestuesit hidhnin parulla provokuese ndaj atyre që prisnin në radhë për të hyrë në sallën e tubimit, duke thirrur: "Turp, turp”, "Nuk ka urrejtje në shtetin tonë" dhe "Jo Trumpit, jo KKK-së, jo një Amerike fashiste”. Por, Tump kishte edhe mbështetës të shumtë të cilët thërrisnin: "Ndërtoni muret” dhe sloganin e presidentit "Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”.
 
REJHANE BUSHI-METAJ