USHQIMI

Kujdes çfarë konsumoni

11.06.2014 18:36

Rëndom temperaturat e nxehta rikthejnë rrezikun e helmimeve nga konsumimi i ushqimeve të shpejta kur ato nuk ruhen dhe përgatiten në kushte adekuate.........

Rëndom temperaturat e nxehta rikthejnë rrezikun e helmimeve nga konsumimi i ushqimeve të shpejta kur ato nuk ruhen dhe përgatiten në kushte adekuate. Këtë e pohojnë edhe vetë pronarët e lokaleve në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. 
 
Por, ata theksojnë se në Çarshi mund të gjeni lokale ku kanë kujdes të veçantë për mënyrën e ruajtjes dhe përgatitjes së ushqimit dhe si dëshmi, ata përmendin punën shumëvjeçare pa ndodhur asnjë incident.         
                                                           
“Lokali punon prej kur kam lindur unë, prej vitit 1972 dhe nuk na ka ndodhur një gjë e tillë, i mbajmë në vende adekuate, i mbajmë në temperatura në të cilat duhet të jenë ushqimet, mishrat janë ato që duhet të jenë të ngrira, janë ato prej minus 5 deri në ato minus 18 gradë, për ato kemi kujdes të veçantë edhe ushqime të cilat janë prej 3-5 ato janë më të freskëta që përgatiten për sallata, për speca të mbushura, kjo është banaku që i mban ushqimet e ngrohta, te kjo duhet të kemi kujdes, se kjo i mban në temperatura prej 63-65, se edhe në këtë nuk duhet të jetë ushqimi shumë i nxehtë, por edhe nuk duhet të jetë shumë i ftohtë, ushqimi sezonal dallon pak në atë se shembull gjatë dimrit temperaturën e rrisim pak, atëherë e bëjmë prej 7 deri në 7 e 5 që të jetë ma i ftohtë”, u shpreh pronari i lokalit në Çarshi, Adem Murtezani.
 
Rreziku i helmimit ekziston edhe nga konsumimi i ëmbëlsirave, të cilat po ashtu mund t’i gjeni me bollëk edhe në Çarshinë e Shkupit. Por, të punësuarit në këto lokale premtojnë shërbim cilësor dhe të shëndetshëm.
 
“Nëse konsumohen me sasi të caktuar, nuk janë të dëmshme, atëherë si të teprohet, sigurisht se po, se koha e nxehtë edhe ëmbëlsira veç bëhet tepër”, theksoi një kamarier.
 
Për kujdes se ç’farë konsumojmë në këtë periudhë apelojnë të kemi edhe nga Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë, prej ku bëjnë të ditur për kontrolle të shtuara në këtë periudhë.   
                                                                                            
“Analizat e viteve të kaluara, dëshmojnë se para së gjithash, në pjesën e ushqimit në periudhën e verës janë rritur rastet e incidenteve, për shkak të mosrespektimit të procedurave higjienike, përkatësisht ruajtjen joadekuate të ushqimit apo përbërësit me të cilët përgatitet ushqimi. Atë po ashtu e hasim në tregjet e mëdha apo në tregjet e gjelbërta, ku kohë pas kohe paraqiten prodhime të cilat shiten në tezga edhe pse nuk guxojnë, ndërsa edhe më keq është se kemi ushqim i cili kërkon temperaturë të caktuar të ruajtjes, ndërsa ekspozohet drejtpërdrejtë në temperaturë të jashtme, ku mundësia për prishje është e madhe. Këtu bëjnë pjesë prodhimet e qumështit, vezët dhe prodhimet e vezëve janë kategori e rrezikshme”, - deklaroi zëvendësdrejtori i Agjencionit për Ushqim dhe Veterinari.
 
Nga Agjencioni i Ushqimit bëjnë të ditur se gjatë kontrolleve të Inspektoratit janë konfiskuar rreth 20 tonelata ushqim, pasi është konstatuar se nuk janë të sigurt për konsum, si dhe janë shqiptuar dënime. 
 
Gjatë qershorit, inspektorët ushqimorë do të jenë të pranishëm sidomos në pikat turistike, përkatësisht në restorantet dhe kudo që përgatitet ushqim. Dënimet për mosrespektim të standardeve, janë nga 2 mijë euro deri në 8 mijë euro për personin juridik dhe 2 mijë deri në 3 mijë euro për personin fizik, përgjegjësin në lokalin ku konstatohet mosrespektim i standardeve gjatë përgatitjes së ushqimit. 
 
Po ashtu, Agjencioni i Ushqimit përkujdeset edhe për ushqimin që importohet nga jashtë në Maqedoni dhe në pikat kufitare deri më tani janë kthyer rreth 80 tonelata ushqim, si mish, vezë në pluhur, peshk apo produkte tjera, qoftë për shkak të mungesës së dokumentacionit të rregullt apo për shkak të transportit joadekuat. 
 
Por edhe përkundër masave të institucioneve, apelohet te qytetarët për kujdes gjatë konsumit të ushqimit. (GYLTENE SINANI, TVM2)