Botë
Ngërçi politik në Kosovë, të enjten seanca konstituive, sytë nga AKR
23.08.2017 12:51
Gjysma e dytë e javës sjell një përpjekje të re për zhbllokimin e ngërçit politik në Kosovë, që do t’i hapë rrugën krijimit të institucioneve bazuar në zgjedhjet e 11 qershorit...

Të enjten mbahet seanca e radhës për konstituimin e Parlamentit, datë kjo e caktuar me një konsensus nga të gjitha partitë parlamentare, pas mosmarrëveshjeve më shumë se tre javë. Kriza u krijua kur as koalicioni PAN e as koalicioni LAA dhe Lëvizja Vetëvendosja nuk siguruan dot vota të mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit. Këtë herë, duket se gjërat po lëvizin drejt zhbllokimit të situatës, e figura qendrore e këtij zhvillimi është Aleanca Kosova e Re e Behxhet Pacollit.
Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie e autorizoi të dielën kryetarin e saj që bashkë me deputetët e zgjedhur dhe kryesinë e ngushtë të kërkojë rrugët e daljes nga kriza dhe të shohë mundësi të tjera alternative jashtë koalicionit me LDK-në dhe Alternativën. AKR ka mbajtur mbledhje edhe sot në mëngjes, por duket se nuk ka gatishmëri për të mbështetur PAN-in.
Teksa ende vazhdon ngërçi pas zgjedhjeve parlamentare, Kosova bëhet gati për një tjetër cikël zgjedhor. Në mesnatë përfundoi afati ligjor i regjistrimit të partive për zgjedhjet lokale. Janë regjistruar 91 subjekte politike, 35 parti politike, një koalicion, 30 nisma qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur nga të gjitha komunitetet, që do të përballen në konkurrencën për të marrë pushtetin në 38 komuna të Kosovës, më 22 tetor.
GYLNETE SINANI
