Maqedoni

Diaspora, qeveria harton strategji për bashkëpunim

23.08.2017 14:31

Nëpërmjet një strategjie të posaçme kombëtare, Qeveria do të forcojë bashkëpunimin ekonomik, kulturor, arsimor dhe shkencor me diasporën...

Strategjia, e cila do të përfshijë periudhën prej vitit 2018-2023, pritet të përcaktojë në mënyrë sistematike prioritetet dhe të sigurojë mekanizmave konkretë për bashkëpunimin e diasporës me institucionet e vendit, tha ministri pa portofol, Edmond Ademi. 
 
“Hartimi i strategjisë kombëtare për bashkëpunim me diasporën do të mundësojë bashkëpunim të afërt dhe lidhshmëri mes diasporës dhe institucioneve shtetërore si dhe qëllimi kryesor është që të iniciojmë bashkëpunim të vet diasporës atje ku jeton dhe punon mes veti. Prandaj jetësimi i kësaj strategjie kombëtare për bashkëpunim me diasporën nëpërmjet implementimit të masave pozitivisht besojmë do të ndikojë në identifikimin dhe vendosjen e relacioneve dhe përkrahjen për bashkëpunim në fusha të ndryshme si në politikë, ekonomi, kulturë, arsim dhe shkencë”,- deklaroi ministri pa portofol, Edmond Ademi.
 
Procesi i përpilimit të strategjisë kombëtare do të jetë inkluziv dhe transparent ku do të përfshihen individë dhe organizata nga diaspora, shoqëria civile në Maqedoni si dhe ministritë gjegjëse që kanë lidhshmëri me diasporën, sqaroi ministri Ademi. Sipas tij, drafti i parë i kësaj strategjie do të duhet të jetë gati deri në dhjetor të këtij viti, që më pas të hapet debat publik lidhur me të. 
 
NAIM RAMADANI