Tërmeti në Itali, nxirret nga rrënojat 11 vjeçari, pritet si hero
11 vjetari, Çiro, është i fundit nga tre vëllezërit që mbrëmë....

11 vjetari, Çiro, është i fundit nga tre vëllezërit që mbrëmë u nxor i gjallë nga rrënojat e shtëpisë së tij të shkatërruar nga tërmeti në Iskia të Italisë. Mediat italiane e kanë pagëzuar si “djalin hero”.
Vogëlushi, sipas zjarrfikësve, shpëtoi vëllanë Matias, 7-vjeçar, duke e shtyrë poshtë krevatit pas tronditjes së parë, e më pas tërhoqi vëmendjen e ekipeve të shpëtimit duke goditur rrënojat me bishtin e një fshese. Momenti i nxjerrjes së tij nga shtëpia e shembur u prit me duartrokitje dhe ovacione.
“Kur u shemb gjithçka përqafova vëllanë tim, e më pas, kur erdhën grupet e shpëtimit, e shtyva atë të parin”, ishin fjalët e para të 11-vjeçarit që qëndroi nën rrënoja për 16 orë.
Zjarrfikësit thonë se kishin komunikuar gjatë gjithë kohës me Ciron, i cili, sipas tyre, u fliste për të vëllanë dhe e mbante mend mirë çastin kur toka ishte lëkundur.
Kur zhvendosën grumbullin e fundit të gurëve që bllokonte këmbët e djalit, zjarrfikësit shpërthyen në brohorima. Më pas u përqafuan të emocionuar. Përpos disa plagëve të vogla e krisjeve, gjendja e përgjithshme e 11-vjeçarit është e mirë. Vëllai më i vogël, Matiasi, 7-vjeçar, ka pësuar traumë të lehtë në kokë, në shpatull e krah.
Të martën, grupet e emergjencës shpëtuan edhe vëllanë më të vogël, Paskualen, 7-muajsh. (Kaltrina Maksuti, TVM2)
