Ekonomi
Shfrytëzimi i fondeve IPA në bujqësi, aplikime ka, kërkohet efikasitet nga institucionet
23.08.2017 14:56
Qeveria po punon të gjejë mënyrë për shfrytëzimin maksimal të fondeve IPA, sidomos për tejkalimin e problemit thelbësor për thithjen e këtyre fondeve...

Qeveria po punon të gjejë mënyrë për shfrytëzimin maksimal të fondeve IPA, sidomos për tejkalimin e problemit thelbësor për thithjen e këtyre fondeve, e që ka të bëjë me problemet e shumta gjatë mënyrës së aplikimit.
Vetëm për zhvillim të sektorit bujqësor, Maqedonia ka në dispozicion rreth 60 milion euro nga fondet IPA. Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, thotë se përparimi i sektorit bujqësor mund të arrihet vetëm me shfrytëzimin e plotë të këtyre mjeteve, dhe në këtë sektor aplikimet për IPA fondet arrijnë nivel rekord.
“Për momentin kemi rekord në aplikime. Rreth 1650 aplikime për t’i shfrytëzuar këto mjete, mirëpo sfida tani është sa do të jetë ekspeditiv Agjencia IPARD për t’i përpunuar këto aplikacione që të mund sa ma shpejtë bujqit t’i marrin këto mjete. Po punojmë gjithashtu bashkë me Ministrinë e Bujqësisë për të riorganizuar tërë sistemin e përpunimit të këtyre aplikacioneve, që do të thotë afati i përpunimit që për momentin është 9 muaj, të shkurtohet në disa muaj me qëllim që më me efikasitet të shfrytëzohen këto mjete”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Shfrytëzimi i fondeve IPA mund të japë rezultate të mira në zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve. Shembull për këtë është laboratori fitosanitar pranë Institutit për Bujqësi, që është rikonstruuar dhe pajisur nga fondet IPA në vlerë prej 2 milion eurove.
“Me këtë labarator është rritur dukshëm numri i analizave të ushqimit të produkteve bujqësore. Ky labarator, me pajisje shumë të sofistikuar dhe me kuadër cilësor, është shndërruar në qendër rajonale të analizave të shumta të ushqimeve dhe kjo tregon qartë se në cilin drejtim duhet të lëvizim”,- u shpreh ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski.
Nga fondet e fundit të IPA-s për bujqësi, prej gjithsej 67 milion eurove të cilat ka pasur Maqedonia në dispozicion në të kaluarën, janë shfrytëzuar vetëm 27% të mjeteve ose vetëm 11 milion euro.
REXHEP QAMILI
