Pavlopulos porosi Shkupit: Mjaft me irredentizëm, minoni rrugën drejt BE-së

23.08.2017 15:01

Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos, mbrëmë sërish i ka bërë thirrje Maqedonisë....

Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos, mbrëmë sërish i ka bërë thirrje Maqedonisë “të ndalojë përhapjen e irredentizmit, sepse kështu sipas tij varros rrugën e saj euroatlantike”.

Pavlopulos mbrëmë ka pranuar përfaqësuesen e femrave në hendboll, e cila në fillim të muajit u tërhoq dhe nuk luajti ndeshjen me përfaqësuesen e Maqedonisë për moshat deri në 17 vjeç, pasi lojtaret nga Maqedonia mbanin bluza në të cilët shkruante “Republika e Maqedonisë”.

“Fryma e vërtetë sportive, ideali i vërtetë në sport, nuk pajtohet me  falsifikimin e trashë të historisë, i cili në vetvete mbart inspiratat irredentiste. Me veprimin tuaj nderuat vetëm duke mbrojtur atdheun tuaj. Ju vini nga vendi ku lindi ideali olimpik, një vend që promovon paqen. Përfitoj nga rasti t’i përkujtoj vendit fqinj të mos vazhdojë taktikën e provokimeve, sepse e njëjta është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe evropiane. Për shkak të frymës irredentiste, vendi fqinj minon rrugën e tij europiane"- theksoi presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos.

Akuzat e Athinës ndaj Shkupit u shtuan pas 2 gushtit, kur konsulli maqedonas në Toronto festoi pranë hartës së Maqedonisë së madhe, e kjo shkaktoi reagimin e ashpër të Athinës që akuzoi Shkupin se po provokon sërish.

Në fund të këtij muaji në Shkup vjen edhe shefi i diplomacisë greke, Nikos Kocijas, për të diskutuar rreth hapave të radhës për ndërtimin e besimit mes dy vendeve dhe për kontestin me emrin. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)