Maqedoni
Shkarkimi i Georgievskit, anti-korrupsioni shqyrton ligjshmërinë e vendimit
23.08.2017 15:16
Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit po shqyrton vendimin për shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për planifikim hapësinor...

Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit po shqyrton vendimin për shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për planifikim hapësinor, Lupço Georgievski, i emëruar nga qeveria e kaluar, e që u shkarkua pas ndërrimit të pushtetit.
Kërkesa për shqyrtimin e vendimit është dorëzuar nga vetë drejtori i shkarkuar i agjencisë, i cili vlerëson se vendimi është joligjor pasi është sjellë më 6 gusht, pikërisht në ditën e shpalljes së zgjedhjeve lokale. Nga Komisioni anti-korrupsion do të kërkojnë nga agjencia dokumentacionin e plotë për shkarkimin, e më pas do të japin mendimin e tyre.
Gjithsesi, ligji është i qartë se në periudhën që nga data e shpalljes së zgjedhjeve nuk mund të ketë emërime apo shkarkime të kuadrove në institucionet shtetërore e publike.
“Lënda merret në përpunim dhe do të zhvillohen veprime të mëtutjeshme në grumbullimin e të dhënave relevante lidhur me ankesën e dorëzuar nga institucioni i cili e ka bërë këtë lëndë”,- deklaroi kryetari i Komisionit për anti-korrupsion, Igor Tanturovski.
“Nga dëshmitë e paraqitura me shkrim është e qartë se vendimi është marrë gjatë periudhës së regjimit zgjedhor. Sipas formulimit të dhënë në ligj, kjo periudhë përfshin edhe ditën kur vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është miratuar në rastin konkret më 06.08.2017”,- u shpreh anëtarja e Komisionit, Zhaklina Damçevska.
Nga të gjitha ndryshimet e deritanishme kadrovike në institucionet shtetërore, Georgievski është funksionari i parë i VMRO-DPMNE-së që ka ngritur kërkesë për shqyrtim të vendimit për shkarkimin e tij.
SANIJE DURAKU
