Maqedoni
Orari me dy ndërrime në kopshte, SAShK: vendim skajshmërisht i përshpejtuar
23.08.2017 15:27
Sindikata e pavarur e arsimit, shkencës dhe kulturës, e ka quajtur të ngutshëm vendimin e qeverisë për vendosjen...

Sindikata e pavarur e arsimit, shkencës dhe kulturës, e ka quajtur të ngutshëm vendimin e qeverisë për vendosjen e orarit me dy ndërrime në kopshtet për fëmijë dhe vendimin që çdo e shtunë e parë e muajit të jetë ditë pune.
Nga SAShK-u akuzojnë Ministrinë e resorit se nuk ka marrë në konsideratë mendimin e punonjësve që përkujdesen për fëmijët, të cilët rreth këtij vendimi janë njoftuar vetëm nga mediat.
“Kjo masë e qeverisë që duhet të zbatohet përmes Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, që nga 1 shtatori çerdhet të punojnë me dy ndërrime është një vendim skajshmërisht i përshpejtuar, pa analiza më të thella adekuate se si e njëjta do të zbatohet. Ne si sindikatë që ka për obligim të mbrojë të drejtat dhe interesat e punëtorëve të përkujdesit për fëmijët, kemi nxjerrë një sërë pikëpyetjesh. As anëtarët tanë e as ne si sindikatë nuk e kemi të qartë se si do të zhvillohet puna në dy ndërrime”,- deklaroi Jakim Nedelkov nga SAShK-u.
SAShK-u kërkon shtyrjen e afatit për zbatimin e vendimit për punë me dy ndërrime në kopshtet e fëmijëve, deri sa të gjendet zgjidhje adekuate rreth këtyre çështjeve kaq të rëndësishme jo vetëm për fëmijët dhe prindërit, por edhe për punonjësit që përkujdesen për fëmijët. SAShK-u kërkon edhe që pushteti lokal të marrë masa konkrete për organizimin e punës në dy ndërrime.
ARLINDA BAFTIU
