Stabilizohen marrëdhëniet Shkup-Beograd, Zaev-Vuçiq: Me dialog do zgjidhim mosmarrëveshjet, Kociançiç: Tregoni vetëpërmbajtje

23.08.2017 16:30

Shkupi dhe Beogradi kanë stabilizuar marrëdhëniet dypalëshe....

Shkupi dhe Beogradi kanë stabilizuar marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa mosmarrëveshjet për të gjitha çështjet do të zgjidhen, ekskluzivisht, me dialog.   

Kryeministri Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një bisedë të gjatë telefonike kanë shqyrtuar të gjitha rrethanat e krijuara në marrëdhëniet midis dy vendeve, dhe kanë rrënë dakord që të gjitha mosmarrëveshjet eventuale t’i zgjidhin me dialog.

“Pa marrë parasysh të gjitha dallimet politike për çështjet e caktuara me rëndësi politike e rajonale, Serbia dhe Maqedonia do të luftojnë bashkarisht jo vetëm për ruajtjen, por edhe për përparimin e marrëdhënieve miqësore midis popullit serb dhe maqedonas, dhe të qytetarëve të Serbisë e të Maqedonisë. Dy vendet do të bëjnë përpjekje edhe më të mëdha për avancimin e marrëdhënieve ekonomike dhe shtimin e shkëmbimit tregtare midis tyre.”- thuhet në kumtesën e përbashkët.

Veç kësaj,  Republika e Serbisë dhe Republika e Maqedonisë, në përputhje me dispozitat publiko-juridike ndërkombëtare, me besim të mirë dhe baza miqësore do të mbrojnë të drejtat dhe interesat e përfaqësive diplomatike-konsullore në territorin e vet.

Republika e Serbisë dhe Republika e Maqedonisë do të intensifikojnë komunikimet e ndërsjella në nivelin më të lartë, do të mbështesin njëra tjetrën në rrugën europiane dhe duke forcuar marrëdhëniet e mira fqinjësore do të kontribuojnë për stabilitetin në rajon.

Ndërkohë, Komisioni Evropian vlerëson se tërheqja e diplomatëve nga Shkupi tre ditë më parë është çështje dypalëshe midis Serbisë e Maqedonisë dhe pret që e njëjta të zgjidhet në mënyrë përmbajtjesore, paqësore dhe në frymën e fqinjësisë së mirë.

“Komisioni Evropian i ka thirrur autoritetet e Shkupit dhe Beogradit të tregojnë përmbajtje dhe në rrugë paqësore t’i zgjidhin çështjet në lidhje me tërheqjen e personelit të Ambasadës së Serbisë nga Shkupi”, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq. (Shpëtim Nuredini, TVM2)