Botë

Anulohet koncerti në Roterdam, shkak një makinë me bombola gazi

24.08.2017 09:57

Një makinë me bombola gazi u gjet në afërsi të një salle koncertesh në Roterdam të Holandës dhe autoritetet urgjentisht...

Një makinë me bombola gazi u gjet në afërsi të një salle koncertesh në Roterdam të Holandës dhe autoritetet urgjentisht e anuluan koncertin e grupit rrok amerikan “Allah-Las”, i cili ka marrë jo pak herë kërcënime për shkak të emrit të tij.
 
Drejtuesi i mjetit të regjistruar në Spanjë është vënë në pranga. Për shkaqe sigurie, në momentin e fundit u vendos që koncerti të mos mbahej. Spektatorët u larguan të dëshpëruar pasi askush nuk i informoi për shkakun e anulimit.
 
“Ne jemi banorë të zonës, nuk është problem, por sa keq për ata që kanë ardhur nga larg. Nuk na thanë pse u anulua koncerti”,- u shpreh një qytetar.
 
“Do të doja shumë të di se çfarë po ndodh. Prej nga e morën informatën se mund të ndodhë diçka”,- theksoi një qytetar. 
 
Kryebashkiaku i Roterdamit, Ahmed Aboutaleb, u tha gazetarëve se nuk është vendosur ende një lidhje e qartë mes furgonit dhe një kërcënimi terrorist. 
 
“Morëm njoftime për një kërcënim me sulm me bombë në koncertin e grupit amerikan. Menduam për sigurinë e njerëzve dhe e anuluam koncertin. Aty pranë u gjet një makinë me targa spanjolle e mbushur me bombola gazi. Por, nuk është përcaktuar ende nëse automjeti mund të lidhet me një akt terrorist”,- u shpreh kryetari i Bashkisë së Roterdamit, Ahmed Aboutaleb.
 
Ngjarja ndodh në një kohë kur Europa është në alarm nga sulmet e javës së kaluar në Katalonjë. Por, ende nuk ka ndonjë lidhje direkte mes ngjarjeve në Spanjë dhe makinës së gjetur në Holandë. Ekspertët mendojnë se sulmet e militantëve të ISIS-it në Kontinentin e Vjetër janë më të çorientuara dhe se grupi ekstremist tani po mbështetet mbi celula diletantësh.
 
REJHANE BUSHI-METAJ